Presidenti iranian e bllokon një ligj të ashpër për hixhabin

Teheran, 15 dhjetor 2024 – Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, e ka shfrytëzuar të drejtën e vetos për të bllokuar një ligj të ashpër për mbulesën e grave, i cili është miratuar nga parlamenti.

Ai i ka bërë thirrje Këshillit Suprem për Siguri Kombëtare që ta analizojë ligjin.

Këshilltari presidencial, Ali Rabiei, ka thënë për të përditshmen Hamshahri se, ky veprim është arsyetuar me efektin që do të kishte ligji në shoqëri.

Këshilli Suprem është institucioni më i lartë në Republikën Islamike, i cili merr vendime për çështje të sigurisë.

Pezheshkian shpreson që ky trup do të mund të zbusë deri diku ligjin e ri.

Ky ligj i miratuar nga deputetë të linjës së ashpër parasheh dënime të larta dhe pamundësim të qasjes në shërbime publike për gratë që nuk e përmbushin obligimin e mbulimit të kokës.

Për figurat me ndikim parashihen dënime edhe më të ashpra, përfshirë ndalesa në kryerje të profesionit apo të udhëtimit jashtë shtetit, si dhe konfiskim të mbi 5 për qind të aseteve.

Kritikat e ashpra për këtë ligj, madje edhe nga vetë Qeveria, kanë ndikuar me vonesa në zbatimin e tij.

Pezeshkaian raportohet të jetë kundër, pasi frikësohet nga rezistenca në shoqërinë iraniane dhe mundësia e rikthimit të trazirave popullore.

Vëzhguesit e shohin ligjin si sfidë të madhe mes politikanëve të linjës së ashpër dhe forcave të moderuara dhe nëse Pezheshkuan nuk arrin të triumfojë kundër figurave të linjës së ashpër, ai do të përballet me kritika për mospërmbushje të premtimeve të bëra në fushatë.

Shumë gra iraniane në qytete të mëdha janë duke refuzuar zbatimin e kodit të ashpër të veshjes, të vendosur nga autoritetet islamike.

Ky trend është rezultat i lëvizjes “Gratë, Jeta, Liria”, që pati shpërthyer në vjeshtën e vitit 2022.

Marshet kanë nisur pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, sa ka qenë në mbajtje policore, me arsyetimin se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

(Radio Evropa e Lirë)  

Comment

*