Presidenti kroat: Presim që të gjitha vendet e BE-së ta njohin shtetin e Kosovës

Zagreb, 7 mars 2023 – Kroacia mbështet fuqishëm afirmimin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës dhe pret që ajo të njihet nga të gjithë anëtarët e BE-së.

Këtë e ka thënë presidenti kroat Zoran Milanoviq, të martën në Zagreb, gjatë takimit me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwartz, raportojnë mediet kroate.

“Ne presim që të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë AI.

Milanoviq i ka përshëndetur përpjekjet për arritjen e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të propozuar nga Bashkimi Evropian. Ai ka thënë se kjo marrëveshje do të siguronte stabilitet afatgjatë në Evropën Juglindore dhe perspektivë evropiane për mbarë rajonin.

Presidenti kroat dhe ministrja kosovare kanë biseduar edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Milanoviq ka thënë se Kosova gjithmonë e ka pasur mbështetjen e Kroacisë në afirmimin ndërkombëtar dhe në avancimin e procesit të integrimeve euro-atlantike.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe janë trajtuar fushat e bashkëpunimit me interes të dyanshëm.

(r.m.)