Presidenti Ilir Meta uroi që që ky proces të jetë një shembull i besimit te demokracia dhe vota e lirë.
Knid Ndrenika
Presidenti Ilir Meta njoftoi se sapo kishte dekretuar zgjedhjet për kryetar të bashkive Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë.
Bashkitë rrjedhur prej zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 janë pa kryetarë pasi kandidatët apo të zgjedhurit ose janë gjetur me të shkuar kriminale, ose janë dorëhequr, ose u ka përfunduar mandati.
Partitë ndërkaq janë deklaruar gati për të marrë pjesë në zgjedhje.
Në njoftimin zyrtar zoti Meta uroi që që ky proces të jetë një shembull i besimit te demokracia dhe vota e lirë.
“6 marsi është çështje interpetimesh, për zgjedhjet e imponuara për shkak të vakanceve që krijohen për arsye të ndryshme. Qëllimi im ka qenë që brenda afateve ligjore të jap kohën maksimale të 45 ditëve”.
Në bashkinë Vorë pranë Tiranës kryetari u shpall në kërkim nga drejtësia pasi fshehu një dënim penal të marrë në Greqi.
Kandidat-kryetari i Shkodrës ku detyrën e mban e zgjedhura në 2015, u hetua për fshehje të dënimit në Itali.
Në Lushnjë kryebashkiaku u arrestua nga Prokuroria e Posaçme SPAK për shkelje të barazisë dhe favorizim në tendera.
Në Durrës kryetarja dha dorëheqjen pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019.
Në Rrogozhinë pranë Kavajës kryetari ndërroi jetë.
Në Dibër kryetari dha dorëheqjen pasi kandidoi për deputet.
Veç Shkodrës, që drejtohet nga Partia Demokratike, në të pesë bashkitë e tjera kryetarët ishin të Partisë Socialiste qeveritare.
Presidenti nga Shkodra tha se nuk ka pasur asnjë informacion nga Këshilli i Ministrave dhe KQZ dhe ka bashkëpunuar me këto dy institucione sapo u bë e qartë që nuk mund të ketë një vendim tjetër të Gjykatës Kushtetuese në të ardhmen.
“Ata që përfitojnë nga 6 marsi do të jenë qytetarët e këtyre 6 bashkive. Presidenti do të dëshironte dhe priste dhe jo vetëm Presidenti besoj, por edhe shumica e qytetarëve të këtij vendi të cilët duan të rivendoset sistemi i llogaridhënës në vend si në nivel vendor, si në nivel kombëtar prisnin që qytetarët të kishin mundësinë të zgjidhnin kudo, jo vetëm në 6 qytete. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e bëri të pamundur. Atëherë të paktën këtyre 6 qyteteve të mos ua mohojmë këtë mundësi, prandaj i ftoj të gjithë t’u japin alternativat më të mira qytetarëve tanë në këto 6 bashki ku do të votohet më 6 mars”,-tha zoti Meta.