Presidenti Meta dekreton Ramën kryeministër

Më 25 prill Partia Socialiste fitoi 74 deputetë, opozita demokratike me “Aleancën për Ndryshim” 59, Socialdemokratët 3 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 4

Knid Ndrenika

Presidenti Ilir Meta dekretoi të mandatuarin nga Partia Socialiste, Edi Rama si kryeministër të Shqipërisë.

Në dekret shpjegohet kushtetushmëria e pranimit të propozimit të partisë fituese të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021.

Presidenti thotë se me këtë dekret zoti Edi Rama, emërohet Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.

Dekreti mbështetet në nenet 93 dhe 96, pika 1, të Kushtetutës së Shqipërisë që saktëson se pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës rezultati përfundimtar nxori socialistët fitues.

Ky dekret me numrin 13210 hyn në fuqi menjëherë pasi u firmos nga presidenti në 10 shtator 2021.

Më 25 prill Partia Socialiste fitoi 74 deputetë, opozita demokratike me “Aleancën për Ndryshim” 59, Socialdemokratët 3 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 4.

Ja çfarë thotë dekreti i presidentit:

Në mbështetje të neneve 93 dhe 96, pika 1, të Kushtetutës, pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të datës 25.04.2021, rezultati përfundimtar i të cilave është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes Vendimit nr. 21, datë 13.07.2021, të Komisionit Rregullator, sot më datë 10.09.2021, në fillim të Legjislaturës së X-të, pas thirrjes dhe zhvillimit të mbledhjes së parë të Kuvendit të porsazgjedhur, sipas propozimit me nr. 216 prot., datë 2.9.2021, të Partisë Socialiste të Shqipërisë, parti kjo që rezulton se ka shumicën e vendeve në Kuvend, Dekretoj:

Neni 1

Zoti Edi Rama, emërohet Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 13 210
Tiranë, më 10.09.2021

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META