Duke folur para një grupi oficerësh të rinj që po diplomohen nga Akademia Ushtarake në West Point të Nju Jorkut, Presidenti argumentoi në favor të një politike më të përmbajtur
Presidenti Barack Obama parashtroi sot në një fjalim në përparësitë e tij të politikës së jashtme, duke deklaruar se SHBA mbeten vendi më i domosdoshëm në botë, edhe pas një periudhe të gjatë lufte. Duke folur para një grupi oficerësh të rinj që po diplomohen nga Akademia Ushtarake në West Point të Nju Jorkut, Presidenti argumentoi në favor të një politike më të përmbajtur dhe parashtroi parimet në bazë të të cilave Shtetet e Bashkuara do të përdornin forcën ushtarake.
Fjalimi i Presidentit Obama vjen ndërkohë që Shtëpia e Bardhë po përpiqet t’u kundërpërgjigjet kritikëve, që thonë se qasja e presidentit ndaj problemeve globale ka qenë tepër e kujdesshme dhe i ka inkurajuar kundërshtarët.
“Për të ardhmen e parashikueshme, kërcënimi më i drejtpërdrejtë për Amerikën brenda dhe jashtë vendit mbetet terrorizmi, tha Presidenti Obama. Por, tha ai se “një strategji që parashikon ndërhyrje në çdo vend që strehon terroristët është naive dhe e parealizueshme.” Presidenti Obama tha se strategjia e kundër terrorizmit duhet të ndryshojë, duke hyrë në partneritete më të efektshme me vendet ku terroristët përpiqen të ngrejnë rrjetet e tyre.”
Ne fakt, Presidenti dhe këshilltarët e tij thonë se përpjekjet e administratës për t’i mbajtur SHBA larg konflikteve të tjera ushtarake janë në përputhje me pikëpamjet e publikut amerikan. Presidenti Obama tha në fjalimin e tij se Shtetet e Bashkuara do të përdorin forcën ushtarake edhe në mënyrë të njëanshme nëse këtë e kërkojnë interesat e tyre thelbësore. Amerika, tha ai, nuk do të kërkojë leje për të mbrojtur popullin, vendin dhe mënyrën e saj të jetesës. Nga ana tjetër, tha Presidenti Obama, kur fjala është për çështje të interesit global që nuk kërcënojnë drejtpërdrejt ShBA-ne, atëherë ne nuk nuk duhet të veprojmë të vetëm, por duhet të mobilizojmë aleatët dhe partnerët për veprime kolektive, tha ai.
Presidenti Obama mori në mbrojtje politikën e tij të jashtme, duke thënë se do ta tradhtonte detyrimin e tij ndaj ushtarakëve të rinj nëse do t’i dërgonte ata në luftë thjesht sepse do të shihte një problem diku në botë që ka nevojë të ndreqet ose për shkak të kritikëve, të cilët mund te mendojnë se ndërhyrja ushtarake është e vetmja rrugë që Amerika të mos duket e dobët.
“Agresioni i Rusisë kundër ish-shteteve sovjetike ka krijuar shqetësime në kryeqytetet e Evropës. Por kjo nuk është koha e Luftës së Ftohtë, tha presidenti. Aftësia jonë për të ndikuar tek opinioni botëror, tha ai, ndihmoi që Rusia të izolohej menjëherë. Si rrjedhojë e rolit udhëheqës amerikan, bota menjëherë i dënoi veprimet ruse,” tha Presidenti
Zoti Obama tha gjithashtu se ky mobilizim i mendimit dhe institucioneve botërore ka shërbyer si kundërpeshë ndaj propagandës ruse, trupave ruse në kufi dhe milicive të armatosura. Ne, tha ai, nuk e dimë se si do të zhvillohet situata më tej dhe sfidat do të jenë të vështira. Por duke qëndruar me aleatët në emër të rendit ndërkombëtar, tha Presidenti, iu dha një shans njerëzve në Ukrainë për të zgjedhur të ardhmen e tyre.
Ai foli edhe për çështjen e forcimit dhe zbatimit të rendit ndërkombëtar, si një aspekt te rëndësishëm te rolit udhëheqës amerikan në botë.
NATO-ja, tha Presidenti Obama është aleanca më e fuqishme që ka njohur ndonjëherë bota. Por tani, shtoi ai, SHBA po punojnë me aleatët e NATO-s për misione të reja: brenda Evropës, ku aleatët evropianë duhet të sigurohen, por edhe përtej kufijve të Evropës, ku aleatët e NATO-s duhet të luajnë rolin e tyre në përpjekjet e kundër-terrorizmit dhe në përgjigjen ndaj shteteve të falimentuara.
Presidenti Obama foli gjithashtu për një element tjetër të rolit udhëheqës amerikan: gatishmërisë për të vepruar në emër të dinjitetit njerëzor. Mbështetja amerikane për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, tha ai, shkon përtej idealizmit; ajo është një çështje e sigurisë kombëtare. Demokracitë, tha Presidenti, janë miqtë më të mirë të Amerikës dhe kanë shumë më pak gjasa për të nisur një luftë. Ekonomitë e lira dhe të hapura funksionojnë më mirë dhe bëhen tregje për mallrat tona.
Presidenti Obama tha se respekti për të drejtat e njeriut është ilaçi për paqendrueshmërinë, për dhunë dhe terrorin. (r.a.)