Presidenti i përmbysur sirian Bashar Al-Assad arrin në Rusi, merr statusin e azilit

Moskë, 8 dhjetor 2024 – Presidenti i përmbysur i Sirisë, Bashar al-Assad, dhe familja e tij kanë arritur në Moskë, raportuan mediat shtetërore ruse, ndërsa rebelët kanë marrë kontrollin në kryeqytetin sirian, Damask, duke i dhënë fund sundimit brutal gjysmëshekullor të familjes Assad.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha më herët se Assadi “vendosi të jepte dorëheqje” pas “negociatave” me “një numër të pjesëmarrësve në konfliktin e armatosur” dhe u largua nga detyra “duke lënë instruksione për transferimin paqësor të pushtetit”.

Ministria tha se “Rusia nuk mori pjesë në këto negociata”.

Kjo deklaratë erdhi pasi rebelët, përmes një deklarate të publikuar në televizionin shtetëror sirian, thanë se Damasku “tani është i lirë nga Assadi”, familja e të cilit ka sunduar për më shumë se 50 vjet.

Paraprakisht, Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut – organizatë me bazë në Britani – kishte raportuar se Assadi ishte arratisur nga Damasku me një aeroplan ushtarak mëngjesin e 8 dhjetorit.

Kryeministri sirian, Mohammad Ghazi al-Jalali, tha në një video se ai ishte ende në shtëpi, në Damask, dhe nuk kishte ikur. Ai tha se Qeveria është “e gatshme të bashkëpunojë me çdo udhëheqje të zgjedhur nga populli”.

“Ne besojmë se Siria është e të gjithë sirianëve, se vendi është i të gjithë bijve të saj dhe se ky vend mund të jetë një shtet normal që ndërton marrëdhënie të mira me fqinjët dhe me botën, pa u përfshirë në ndonjë aleancë apo bllok rajonal”, tha al-Jalali të dielën, më 8 dhjetor.

Më vonë ai u pa duke dalë nga shtëpia e tij, i shoqëruar nga persona të armatosur. Raportohet se ai është shoqëruar për në një takim me udhëheqjen e grupit islamist Hayat Tahrir al-Sham (HTS), që e ka udhëhequr ofensivën e fundit të rebelëve.

HTS-ja konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian.

Abu Mohammad al-Jolani, udhëheqës i HTS-së, ka tentuar t’i sigurojë shiitët alavitë dhe minoritetet e tjera siciane, përfshirë të krishterët, pas rrëzimit të Assadit.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*