Uashington, 16 shkurt 2025 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, i ka dëguar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, mesazh urimi për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në urim, Presidenti Trump thekson se rrugëtimi i popullit të Kosovës drejt pavarësisë është përshkuar nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria.
Ai thotë se Shteteve të Bashkuara e mbështesin plotësisht Kosovën në angazhimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike për të gjithë qytetarët e saj dhe shpreh besimin se lidhjet e forta midis dy popujve do të gjerohen dhe mundësitë e investimeve do të rriten më shumë në të ardhmen.
“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi”, thuhet në urim.
Presidenti Trump thotë se Shtetet e Bashkuara do të punojnë bashkë me Kosovën dhe me vendet fqinje për një rajon më të begatë e më të sigurtë dhe për integrimin e Kosovës në komunitetin euro-atlantik
“Shtetet e Bashkuara presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vazhdim të vitit. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe me fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej në komunitetin euro-atlantik”, thuhet në mesazh.
Presidenti Trump e vlerëson edhe mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus.
Në fund të urimit, Presidenti Trump thekson se festa e pavarësisë është moment për të reflektuar mbi arritjet e deritashme dhe për të vështruar përpara drejt një të ardhmeje më të ndritur për të dy kombet dhe për lidhjet midis tyre.
“Përvjetori i pavarësisë së Kosovës është një moment për të reflektuar mbi arritjet e deritashme dhe për të parë drejt një të ardhme më të ndritur dhe lidhjeve më të thella midis kombeve tona. Ju dërgoj urimet e mia më të mira popullit të Kosovës në këtë ditë festimi”, thuhet në urimin e Presidentit Trump.
(r.m.)