Vizita e Presidentit Xi Jinping të martën, në Serbi, një vend aleat i Kinës në Evropë, bëhet në një ditë simbolike, 25 vjetorin e bombardimit të ambasadës së Kinës në Beograd në kohën e fushatës ajrore të NATO-s gjatë luftës në Kosovë.
Avionët amerikanë hodhën 5 bomba në ambasadën e Kinës në kryeqytetin serb në 7 maj të 1999. Ndërtesa u përfshi nga flakët, tre shtetas kinezë humbën jetën, 20 persona të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e ngjarjes, e cila, që atëherë, ka rënduar në marrëdhëniet mes dy fuqive.
Presidenti Xi iu referua bombardimeve në një artikull të botuar në gazetën serbe “Politika” të martën, duke shkruar se “nuk duhet të harrojmë se 25 vjet më parë, NATO-ja haptazi bombardoi ambasadën e Kinës në Jugosllavi”, sipas përkthimit të publikuar në median shtetërore kineze.
“Populli kinez e vlerëson paqen, por nuk do të lejojë më kurrë që të ndodhin përsëri tragjedi të tilla”, shtoi ai.
Aleaca ushtarake perëndimore kishte nisur ndërhyrjen ajrore në mars të atij viti për të detyruar Slobodan Milosheviçin që t’i jepte fund spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës.
Aso kohe, Shtetet e Bashkuara kërkuan ndjesë dhe thanë se bombardimi ndaj ambasadës ishte një gabim që ndodhi për shkak të të dhënave të pasakta të shërbimeve inteligjente. Uashingtoni tha se bombardimet kishin si objektiv godinën kryesore të eksportuesit shtetëror serb të armëve, që gjendej në të njëjtën rrugë, në një distancë të afërt me ambasadën.
“Imagjinoni nëse dikush, edhe gabimisht, godet ambasadën amerikane, një nga selitë e saj kudo nëpër botë. Reagimi do të ishte i menjëhershëm”, thotë Sven Biscop, profesor mbi politikat e jashtme dhe të sigurisë evropiane në Universitetin “Ghent” dhe Institutin “Egmont”. “Ndaj, për një vend si Kina, është e qartë se kjo është diçka e madhe. Dhe sigurisht që nuk është harruar”.
Ngjarja shkaktoi zemërim tek qytetarët kinezë dhe nxiti ndjenjat anti-amerikane dhe spekulimet se sulmi ishte i qëllimshëm dhe jo një gabim. Mosbesimi lidhur me incidentin vazhdon edhe sot e kësaj dite. “Ka të ngjarë të mos e dimë kurrë përfundimisht se cila është e vërteta”, tha zoti Biscop. “Por një gjë është e sigurtë. Në luftë, incidente të tilla ndodhin dhe unë zakonisht kam prirjen të anoj nga shpjegimi më i thjeshtë se sa të shpik teori të ndërlikuara”.
Bombardimi shkaktoi tendosje të marrëdhënieve të Pekinit me Shtetet e Bashkuara dhe afroi marrëdhëniet mes Kinës dhe Serbisë. Kina është investitori më i madh i huaj në Serbi dhe partneri i dytë tregtar më i madh pas Bashkimit Europian. Pekini e kundërshtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s dhe që atëherë ka mbështetur synimet e Beogradit për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, të mbështetur nga Perëndimi. Në këmbim, Serbia ka qenë një një aleat besnik i Pekinit dhe u ka hapur dyert, pa kufizime, investimeve kineze prej miliarda dollarësh, edhe pse formalisht kërkon anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Miqësia mes popullit kinez dhe serb do të na frymëzojë të vazhdojmë përpara. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me miqtë tanë serbë për synimet tona, për t’i dhënë dorën njëri-tjetrit drejt përparimit, për të shkruar një kapitull të ri në zhvillimin dhe rijetësimin kombëtar dhe drejt ndërtimit të një komunitet kinezo-serb me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, në këtë epokë të re”, shkruante Presidenti Xi.
Sinjalet e mbështetjes së Kinës ishin qartësisht të dukshme para vizitës së Presidentit Xi, të martën dhe të mërkurën. Në Beograd, flamuj të mëdhenj kinezë ishin vënë në muret e godinave të larta si edhe në aksin rrugor që lidh aeroportin me kryeqytetin. Pas vizitës në Serbi, Presidenti Xi do të udhëtojë drejt Hungarisë. Ai pritet të vizitojë vendin e ish-ambasadës kineze dhe të nderojë viktimat e bombardimeve. Aty ku ndodhej ambasada tani gjendet një qendër kulturore kineze. Kompleksi i gjerë thuhet se përfshin një Institutin “Konfuci”, ekspozita, zyra, hapësira banimi dhe një hotel. Ai shihet si simbol i ndikimit në rritje të Kinës në Serbi dhe në mbarë Evropën. (VOA)