Presidentja e Gjeorgjisë i quan jolegjitime parlamentin dhe qeverinë e re

Tbilisi, 30 nëntor 2024 – Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili,e cilësoi si jolegjitime qeverinë e re të vendit dhe paralajmëroi se ajo nuk do të largohet nga pozitaz e presidentes muajin e ardhshëm, , kur të përfundojë mandati i saj.

Zourabichvili, roli i të cilës është kryesisht ceremonial, tha se parlamenti nuk ka të drejtë të zgjedhë pasardhësin e saj kur t’i përfundojë mandati në dhjetor dhe se ajo do të qëndronte në detyrë.

Presidentja Zourabichvili, e cila është mbështetëse e BE-së dhe kritike e partisë “Ëndrra Gjeorgjiane” e cila u shpall fituese e zgjedhjeve që konsiderohen të manipuluara, si edhe kritikë të tjerë të qeverisë së re thonë se zgjedhjet e 26 tetorit ishin të manipuluara dhe se parlamenti që e zgjodhi qev erinë është i paligjshëm.

“Nuk ka parlament legjitim dhe për rrjedhojë, një parlament i paligjshëm nuk mund të zgjedhë një president të ri. Kështu, nuk mund të bëhet asnjë inaugurim dhe mandati im do të vazhdojë derisa të formohet një parlament i zgjedhur në mënyrë legjitime”, tha Presidentja Zourabichvili në një fjalim para turmës së protestuesve kundër qeverisë pro-ruse, në Tbilisi, të shtunën.

Ndërkaq Kryeministri Irakli Kobakhidze, i cilësoi protestat si “demostrata të dhunshme”. Ai tha se “entitete të huaja” dëshirojnë të shohin në Gjeorgji atë që ai e cilësoi si uUkrainizim”, përmes “një skenari të llojit Maidan”, një referencë për revolucionin e vitit 2014 në Ukrainë.

Gjeorgjia u përfshi nga protestat pasi partia në pushtet, “Ëndrra Gjeorgjiane”, e kryeministrit Irakli Kobakhidze njoftoi ngrirjen e bisedimeve për anëtarësimin e venbdit në BE dhe refuzimin e granteve financiare nga Brukseli deri në vitin 2028.

Autoritetet gjeorgjiane njoftuan se kanë arrestuar 107 vetë gjatë protestave të premten më mbrëmje në kryeqytetin Tbilisi kundër vendimit të qeverisë për të pezulluar bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Mijëra protestues kanë dalë në rrugët e qyteteve dy netë me radhë, duke u përplasur me policinë, e cila ka përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se të premten, protestuesit në Tbilisi u ndoqën dhe u goditën nga policia, ndërsa demonstruesit ishin mbledhur jashtë godinës së parlamentit.

Po sipas kësaj agjencie, policia ushtroi dhunë ndaj përfaqësuesve të medias dhe përdori altoparlantët për të lëshuar ofendime ndaj protestuesve.

Matjet e opinionit publik tregojnë për mbështetje të fortë të qytetarëve për integriminin e vendit në Bashkimin Evropian.

(r.m.)