Presidentja e KE-së bisedon me Kurtin për uljen e tensioneve në veri

Bruksel, 27 qershor 2023 – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka biseduar të martën me telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një postim në Twitter, Vn der Leyen ka treguar se me këtë rast ka theksuar  “nevojën urgjente” për deeskalim të situatës dhe për rikthimin e palëve në dialogun për normalizim të marrëdhënieve.

Ajo ka thënë se do të bisedojë më vonë gjatë ditës edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Sot në mëngjes fola me Kryeministrin Albin Kurti. Theksova nevojën urgjente për deeskalim dhe për kthim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të lehtësuar nga BE-ja.

Më vonë, sot, do të flas edhe me presidentin Vuçiq”, ka shkruar ajo.

Ursula von der Leyen u bashkohet zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë që po bëjnë përpjekje për stabilizimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës.

Të hënë në mbrëmje me kryeministrin e Kosovës dhe me Presidentin e Serbisë ka biseduar edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Në të dy bisedat ai e ka deklaruar mbështetjen e plotë të SHBA-ve për planin trepikësh të BE-së për uljen e tensioneve midis Kosovës e Serbisë

(r.m.)