Antalia, 11 prill 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Presidentin e Republikës së Sierra Leones, Julius Maada Bio, të premten në margjina të Forumit Diplomatik në Antalia të Turqisë.
Presidentja Osmani, në një postim në Facebook, ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Sierra Leones. Ajo ka thënë se me presidentin Julius Maada Bio i kanë shkëmbyer ftesat për vizita respektive të tyre në dy vendet.
“Në Antalya, pata kënaqësinë të takohem me Presidentin e Republikës së Sierra Leones, Julius Maada Bio.
Diskutuam për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve. Gjithashtu, diskutuam edhe mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.
Shkëmbyem po ashtu ftesat për vizita respektive në vendet tona, për t`i forcuar më tej lidhjet tona miqësore dhe për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi”, ka shkruar Osmani.
Ky takim nxjerr blof prfetendimet e autoriteteve të Serbisë se Sierra Leone e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Sierra Leone e ka njohur shtetin e Kosovës më 11 qershor 2008. Më 3 mars 2020 ministri i Jashtëm i atëhershëm i Serbisë, Ivica Daçiq, kishte deklaruar se Sierra Leone e kishte tërhequr njohjen e Kosovës.
Serbia vazhdon të zhvillojë fushatë kundër njohjes së Republikës së Kosovës nga vendet që nuk e kanë bërë këtë dhe për tërheqjen e njohjeve të saj nga vendet që ajo i cilëson si vende mike.
Auroritet serbe kanë thënë se janë dhjetra vende që e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, por deri më sot nuk është konfirmuar zyrtarisht asnjë tërheqje.
(r.m.)