Kishinau, 11 tetor 2022 – Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, i bëri thirrje Qeverisë që t’i japë fuqi të posaçme forcave të sigurisë që të shtypin protestat që, sipas saj, synojnë instalimin e një udhëheqjeje pro-ruse.
Protestat që nisën më 19 shtator janë organizuar nga Partia Shor, e afërt me Rusinë. Lideri populist i kësaj partie, Ilan Shor, ka ikur nga shteti më 2019, pasi u dënua me dy vjet burgim për pastrim parash.
Disa nga protestuesit kanë ngritur tenda jashtë Parlamentit dhe ndërtesës së Presidencës, duke kërkuar dorëheqjen e Qeverisë pro-perëndimore të Sandus. Ata po ashtu kanë shprehur zemërimin e tyre për rritjen e çmimeve.
Sandu i kërkoi Qeverisë më 11 tetor që të ndryshojë ligjin për t’iu dhënë më shumë fuqi agjencive të zbatimit të ligjit, duke shtuar se “disa aktorë brenda administratës lokale po sabotojnë stabilitetin e shtetit”. Këto deklarata duket se janë referencë për kryetarin e Kishinjevit, Ion Ceban, anëtar i Partisë Socialiste të ish-presidentit Igor Dodon. Ky i fundit ka mbështetjen e Rusisë.
Deklarata e presidentes moldave erdhi pasi Ceban më 10 tetor përdori makinat e komunës për të bllokuar rrugët kryesore të kryeqytetit, në mbështetje të protestuesve pro-rusë që kanë bllokuar bulevardin duke vendosur tenda.
“Tradhtia ndaj atdheut do të dënohet rëndë. Ata që mbjellin panik dhe dëshirojnë luftë do të dënohen sipas ligjit”, tha Sandu.
Ajo tha se protestuesit “i kanë premtuar Moskës se do të krijojnë një qeveri që do të jetë besnike ndaj Rusisë”.
Sandu e kishte mposhtur Dodonin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Moldavia, që gjendet në kufi me Rumaninë dhe Ukrainën, ka shtyrë përpara politika pro-perëndimore, duke përkeqësuar raportet me Moskën.
Sandu ka dënuar pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës, teksa Rusia ka kërcënuar Moldavinë se do të ndërpresë furnizimet me gaz për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me pagesën e energjisë.
Pas nisjes së pushtimit, Moldavia, një prej shteteve më të varfra të Evropës, është ftuar që të hapë negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian, së bashku me Ukrainën.
“Ne po bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në shtetin tonë”, tha ajo. “Por, presioni ndaj nesh po rritet dita-ditës. Ka më shumë përpjekje për ta destabilizuar situatën dhe për të krijuar ndarje mes nesh”, tha Sandu.
Frika se konflikti në Ukrainë mund të zgjerohet është rritur, pasi ka shqetësime se Moska mund të tentojë të krijojë një korridor tokësor përmes Ukrainës jugore për në rajonin e shkëputur të Moldavisë, Transniestër.
Rusia ka afër 1.500 ushtarë në Transniestër, të cilët thuhet se ruajnë një depo të madhe armësh të epokës sovjetike.
(REL)