Presidentja Osmani bisedoi me zyrtarin e lartë të NATO-s për çështjen e Urës së Ibrit

Prishtinë, 29 gusht 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim ndihmës-sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus.

Zyra e Presidentes njofton se në takim është biseduar për situatën aktuale në Kosovë, si edhe për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në dy pjesë.

Në njoftim thuhet se Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin e saj tashmЍ të njohur se autoritetet e Kosovës duhet të konsultohen me miqtë dhe aeleatët, sidomos me NATO-n, dhe t’i koordinojnë veprimet përfshirë planin për hapjen e urës për qarkullim të automjeteve.

“Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin për hapjen e urës, porse ka potencuar rëndësinë e mirëmbajtjes së komunikimit, koordinimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës”, thuhet në njoftim.

“Presidentja Osmani falënderoi NATO-n për angazhimin e deritashëm për paqe, siguri dhe stabilitet dhe, në këtë konteks,t ritheksoi objektivin strategjik të Kosovës për integrim në komunitetin euroatlantik, duke shprehur besimin se anëtarësimi në NATO do të kontribuojë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit”, thuhet më tutje në njoftim..

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë.  

Ditë më parë, Presidentja Osmani e priti në takim edhe ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, i cili bëri thirrje për vetëpërmbajtje nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme, të cilat mund të ndikojnë në rritjen e tensioneve.

Të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e tij është duke i vazhduar konsultimet dhe diskutimet me aleatët në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kundërshtuar hapjen e Urës së Ibrit pa një marrëveshje politike. KFOR ka paralajmëruar se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur sfidave lidhur me sigurinë në Kosovë.

Në Urën e Ibrit patrullojnë ushtarë italianë të KFOR-it.

Pas sulmit terrorist të grupit të armatosur të serbëve në Banjskë të Zveçanit,  në pjesën veriore të Kosovës, si edhe vijën e kufirit me Serbinë, janë shtuar patrullimet e KFOR-it.

(r.m.)