Presidentja Osmani dekoroi z. Jim Xhema dhe z. Christopher Hyland

Prishtinë, 24 maj 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekoroi z. Jim Xhema dhe z. Christopher Hyland, dy mbështetës e lobues të fuqishëm të çështjes së Kosovës në Uashington.

Jim Xhema u dekorua me Urdhrin e Lirisë, ndërsa Christopher Hyland e dekorua me Urdhrin dr. Ibrahim Rugova.

Presidentja Osmani, në ceremoninë e dorëzimit të dekoratave, të organizuar në Ditën e Presidentit, e vlerësoi lart kontributin e jashtëzakonshëm të z. Xhema dhe z. Hyland për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

“Duke e rikthyer vëmendjen te miqtë e Kosovës e atdhetarët tanë përtej Oqeanit Atlantik, ne e ripërtërijmë edhe kujtimin për afirmuesin e madh të demokracisë, presidentin tonë, dr. Rugovën”, ka theksuar Presidentja Osmani, në ceremoninë e ndarjes së dekoratave.

Jim Xhema, biznesmen dhe patriot i madh shqëiptar, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për afirmimin e çështjes shqiptare dhe të çështjes së Kosovës në SHBA, qysh prej vitit 1990. Ai ka ndihmuar shumë në afirmimin e çështjes së Kosovës në Kongres dhe në Senat, përmes miqve të tij të shumtë.

Jim Xhema ishte dekoruar edhe nga presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit.

Chriftopher Hyland, i cili ka qenë udhëheqës politik i fushatës së kampit të Bill Klintonit në zgjedhjet presidenciale, ka qenë mbështetës i fuqishëm i çështjes shqiptare, sidmos i çështjes së Kosovës, për më shumë se 30 vjet. Ai ka punuar me përkushtim të madh në afirmimin e çështjes së Kosovës në qarqet me ndikim në administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dorëzimi i dekoratave u bë në Ditën e Presidentit të Kosovës, në shenjë nderimi edhe për Presidentin Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidentja Osmani ia dorëzoi personalisht dekoratën z. Hyland, ndërsa dekoratën e z. Xhema ia dorëzoi përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në Amerikë.

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe zëvendës-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas Giacobe, dhe përfaqësuesit e shoqatës shqiptare “Vatra”.

 

(Ramadan Muçolli)