Berlin, 17 mars 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekoruar me Medalje Presidenciale të Meritave deputetin e Parlamentit të Gjermanisë, Michael Roth.
Ajo ia ka dorëzuar z. Roth dekoratën në një ceremoni rasti, në Ambasadën e Kosovës në Berlin, të hënën në mbrëmje.
Presidentja Osmani, në një postim në Facebook, e ka cilësuar politikanin gjerman mbrojtës të palëkundur dhe mbështetës të madh të Kosovës. Ajo ka thënë se z. Roth, gjatë karrierës së tij si minister dhe si kryetar komisionit për punë të jashtme në Parlamentin e Gjermanisë, ka qenë afirmues i aspirates së Kosovës për të qenë pjesë e familjes evropiane.
“Si një mbrojtës i palëkundur i së ardhmes së Kosovës në BE dhe një zë që ka pasqyruar vazhdimisht aspiratat tona në skenën ndërkombëtare, sonte në Berlin dekorova Michael Roth me Medaljen Presidenciale të Meritave—një simbol mirënjohjeje nga populli i Kosovës.
Suksesi i Kosovës ka qenë gjithmonë më i fortë falë miqve që qëndrojnë pranë nesh—atyre që besojnë në demokraci, liri dhe në vendin tonë të merituar në familjen evropiane. Për mbrojtje të këtyre vlerave, Michael Roth, kryetar aktual i komisionit për punë të jashtme në Bundestagun gjerman e ish-ministër, punoi përgjatë 27 viteve të angazhimit të tij politik.
Faleminderit, z. Roth, për përkushtimin tuaj të palodhur në afrimin e dy vendeve tona dhe angazhimin për thellimin e bashkëpunimit bilateral”, ka shkruar Presidentja Osmani.
(r.m.)