Nju Jork, 20 shtator 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dekoruar me Urdhrin e Lirisë ish-kongresistin amerikan Joe DioGuardi dhe bashkëshorten e tij, aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi.
Presidentja Osmani ua dorëzoi dekoratat dy miqve dhe mbështetësve të mëdhenj të Kosovës në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork.
Në ceremoninë e dorëzimit të dekoratave, Presidentja Osmani ka thënë se ky është një falënderim i qytetatëve të Kosovës për punën e palodhshme, për konributin e jashtëzakonshëm dhe për angazhimin e pandërprerë të këtyre dy mbështetësve të mëdhenj të përpjekjeve për liri, pavarësi dhe demokracinë në Kosovë, si edhe për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.
“Ju keni qenë zëri ynë në kohë të errëta. Ju keni qenë shpresa jonë në një kohë të pashpresë. Ju keni qenë katalizatorë të afirmimit të kërkesave tona kudo në botë, andaj liria jonë e bart edhe firmën tuaj”, ka thënë Presidentja Osmani.
“Ju të dy keni nga nje vend të posaçëm në zemrën e secilit kosovar. Ju na përkujtoni sa e zorshme ka qenë lufta jonë për të drejta, liri dhe pavarësi. Ju na kujtoni se pa mbështetjen e miqve nuk arrihen rezultate, ndaj zoti i bekoftë SHBA-të, zoti e bekoftë miqësinë tonë të përjetshme!”, ka theksuar ajo.
Dorëzimi i dekoratës përkoi të bëhej në ditëlindjen e 83-të të ish kongresistit DioGuardi. Presidentja Osmani, duke i uruar shëndet e jetë të gjatë, ka thënë se Joe DioGuardi është vetë personifikimi i Amerikës që e deshi presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova.
“Joe e personifikon Amerikën, aleaten tonë të përhershme, ashtu siç na e la amanet presidenti historik, dr.Ibrahim Rugova”, është shprehur ajo.
(r.m.)