Prishtinë, 13 korrik 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Zyra e Presidentes njoftoi se në qendër të takimit ka qenë situata në pjesën veriore të Kosovës dhe përpjekjet për shtendosje.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier më të cilin bisedoi për zhvillimet në vend, me fokus të veçantë në veprimet e institucioneve të Kosovës për shtensionimin e situatës në veri të vendit”, thuhet në njoftim.
Zyra e Presidentes bëri të ditur se në takim është diskutuar edhe për bashkërendimin e veprimeve me SHBA-të.
“Në takim u diskutua edhe për vazhdimin e bashkërendimit me partnerët, duke e ditur që si institucionet tona ashtu edhe SHBA ndajnë të njëjtin qëllim për një Kosovë demokratike dhe multietnike që është e integruar në strukturat euroatlantike, si dhe me sovranitet e integritet territorial të pacenueshëm”, thuhet në njoftim.
(r.m.)