Prishtinë, 13 shtator 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekoruar me urdhërin ‘”Dr. Ibrahim Rugova” ambasadorin në largim të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett.
Zyra e Presidentes Osmani njoftoi se ambasadori Kosnett është dekoruar “për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të demokracisë” në Kosovë.
Presidentja Osmani ia ka dorëzuar dekoratën shefit të deritashëm të misionit diplomatik amerikan në Kosovë, të hënën, në takimin lamtumirës.
Zonja Osmani e ka falënderuar ambasadorin Kosnett për “angazhimin jashtëzakonisht aktiv gjatë misionit të tij” në Kosovë. Ajo ka thënë se ambasadori Kosnett dhe stafi i tij kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për mbajtjen e Kosovës lart në agjendën e politikës së jashtme amerikane.
Në komunikatën e lëshuar nga zyra e Presidentes njoftohet se në këtë takim është diskutuar edhe për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për zhvillimin e tyre, siç thuhet, “me një dinamikë të re premtuese”.
“Në këtë kontekst u apostrofua vendimi i fundit i insitucioneve kosovare për mikëpritjen e qytetarëve afganë, angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse krah ushtrisë amerikane, si dhe angazhimi aktiv i Kosovës në luftën kundër terrorizmit”, thuhet në komunikatë.
Ambasador i ri i SHBA-së në Kosovë është emëruar Jeffrey M. Hovenier, por ai duhet të konfirmohet nga Senati amerikan.
(r.m.)