Prishtinë, 29 gusht 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekoruar sot zëvendësambasadorin në largim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, me Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”, i cili u jepet personaliteteve dhe organizatave për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes apo në zhvillimin e demokracisë në Kosovë.
Në ceremoninë e dorëzimit të dekoratës, Presidentja Osmani ka vlerësuar lart punën dhe angazhimin e z. Giacobbe gjatë shërbimit të tij në Kosovë.
“Z. Giacobbe me përkushtimin e tij të pashoq ka dhënë kontribut të çmueshëm në avancimin e demokracisë dhe paqes në Kosovë. Ai, gjithashtu ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për forcimin e marrëdhënieve miqësore në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Në një postim në Twitter, ajo ka theksuar se populli i Kosovës e vlerëson përkushtimin e jashtëzakonshëm të z. Giacobbe në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
For his outstanding contribution in advancing peace and democracy in our country, I awarded outgoing U.S. Deputy Chief of Mission, @NJGiacobbe, the Order ‘Dr. Ibrahim Rugova’.
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) August 29, 2022
The people of Kosovo value his remarkable dedication in strengthening the ties between 🇽🇰 & 🇺🇸. pic.twitter.com/ipyApBwtFG
Presidentja Osmani e ka shfaqur bindjen se miqësia e përhershme mes Kosovës dhe SHBA-ve do të vazhdojë të kultivohet e forcohet edhe nga pasuesja e z. Giacobbe.
Z. Nicholas J. Giacobbe e ka falënderuar Presidenten Osmani për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, pavarësisht kohës sfiduese të shkaktuar nga pandemia Covid-19.
(r.m.)