Presidentja Osmani e kaloi mbrëmjen e Krishtlindjes në Pjetërshan

Prishtinë, 25 dhjetor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me familjen e saj, e kaloi mbrëmjen e Krishtlindjes në fshatin Pjetëshan të Gjakovës.

Në një postim në llogarinë e saj në Facebook, Presidentja Osmani ka shkruar se kremtën e Krishtlindjes, ajo bashkë me familjen e saj, e kaloi në familjen Simoni. Ajo e ka vlerësuar mikpritjen tradicionale të familjes nikoqire dhe ka përcjellë mesazhin për paqe, dashuri, mirëkuptim dhe tolerance.

“Mbrëmjen e Krishtlindjes e kaluam në fshatin e bukur të Pjetërshanit.  Qytetarëve të këtyre fshatrave bujare ua uruam kremtën e Krishtlindjes e pastaj u mirëpritëm edhe në Famulli.  Kremta vazhdoi në familjen Simoni, me gjithë mikpritjen tradicionale shqiptare. Nga aty uruam edhe një herë që paqja dashuria, mirëkuptimi dhe toleranca të mbizotërojnë gjithmonë ndër ne. Gëzuar Krishtlindjen!”, ka shkruar Presidentja Osmani në Facebook.

Pjetërshani është një ndër fshatrat më të bukura të Kosovës. Banorët e këtij fshati njihen për kontributin e tyre për përmirësimin e kushteve të jetesës në fshatin e tyre. Ata njihen edhe për stolisjen e jashtëzakonshme të fshatit për festat e fundvitit.

(r.m.)