Presidentja Osmani e nderon presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova

Prishtinë, 24 maj 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, e ka nderuar arkitektin e shtetit të pavarur të Kosovës, nismëtarin e jetës demokratike e të angazhimit plural politik, presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën.

Me rastin e 24 majit, Ditës së Presidentit, ajo ka vënë kurorë lulesh të shtatorja e Presidentit Rugova, në Prishtinë. Pasdite, ajo ka bërë një vizitë në familjen Rugova.

“Në Ditën e Presidentit nderuam arkitektin e shtetit të pavarur të Kosovës, nismëtarin e jetës demokratike e të angazhimit plural politik, presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Në ditën e tij, të vendosur prej vetë atij, si shenjë përkujtimi e përjetësimi të zgjedhjeve të para demokratike në Republikën e shpallur të Kosovës, më 24 maj 1992, e nderuam presidentin Rugova për vizionin e tij, e rikujtuam madhështinë e veprës së tij dhe e ritheksuam peshën e tij në jetën tonë politike.

Kjo ditë i kushtohet atij!

Gëzuar, President!”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Dita e Presidentit shënon zgjedhjet e para Presidenciale në Republikën e Kosovës, të mbajtuara më 24 maj 1992.

Dr Ibrahim Rugova ishte zgjedhur President i Republikës me votë plebishitare të qytetarëve të Kosovës. Ai e kishte fituar besimin e mbi 98 për qind të votuesve.

(r.m.)