Presidentja Osmani e shkarkon kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka

Prishtinë, 14 qershor 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shkarkuar kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Në arsyetimin e vendimit për shkarkimin e zonjës Daka thuhet se ajo, gjatë ushtrimit të kësaj detyre, “nuk ka arritur t’i nënshtrohet parimit të paanshmërisë”.

“Kryesuesja e KQZ-së, me veprimet e saj, sidomos përgjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit 2021, e ka cenuar pavaresinë dhe integritetin e KQZ-së. Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike, duke pamundësuar kështu balancin e nevojshëm në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e Kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësuesve të partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, Kryesuesja, me veprim apo me mosveprim, ka kontribuuar në përshkallëzimin e situatës gjatë mbledhjeve të këtij organi”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e vendimit të presidentes Osmani.

Në arsyetim thuhet gjithashtu se kryetarja e derisotme e KQZ-së e kishte shkelur ligjin në disa raste dhe se ky organ që merret me organizimin e zgjedhjeve është përballur me probleme të vazhdueshme për organizimin e zgjedhjeve.

Kryetarja e KQZ-së akuzohet gjithashtu se ka përdorur strategji diskriminuese ndaj një grupi qytetarësh.

Mundësia që Presidentja Osmani ta shkarkojë Valdete Dakën ishte paralajmëruar qysh në muajin janar, në emër të mbrojtjes së integritetit të KQZ-së.

Shkarkimi i zonjës Daka është bërë pak orë pas takimit që ajo e ka pasur me presidenten Osmani.

Sipas raportimeve të medies, Presidentja Osmani ka kërkuar nga zonja Daka të japë dorëheqje nga pozita e kryetares së KQZ-së. Por, zonja Daka ka refuzuar të japë dorëheqje, duke theksuar se ajo e ka kryer detyrën “në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës.

(r.m.)