Presidentja Osmani e vlerëson lart mbëshetjen e Presidenti Erdogan për Kosovën

Antalia, 11 prill 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në margjina të Forumit Diplomatik të Antalisë, të premten.

Presidentja Osmani, në një postim në rrjetet sociale, ka shprehur vlerësime të larta për mbështetjen e presidentit Erdogan për Kosovën. Ndër të tjera, ajo ka thënë se Presidenti Erdoğan i ka qëndruar pranë Kosovës, në çdo sfidë dhe në çdo sukses.

Presidentja Osmani ka theksuar se Turqia “është dhe do të mbetet” partner kyç për paqen, sigurinë dhe zhvillimin rajonal.

“Presidenti Erdoğan është lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfidë e në çdo sukses.

Ai është një zë i fuqishëm i miqësisë dhe vizionit të përbashkët.

Një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë, dhe një shtyllë e fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit tonë.

Turqia është dhe do të mbetet një partner kyç për paqen, sigurinë dhe zhvillimin rajonal. Marrëdhëniet tona janë më shumë se miqësi, janë një partneritet i ndërtuar mbi besim, respekt dhe vizion të përbashkët për të ardhmen”, ka shkruar ajo.

Presidentja Osmani merr pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë pikërisht me ftesë të Presidentit Erdogan.

Në këtë edicion të forumit, me temë “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar” pritet tw adresohen sfidat ndërkombëtare, duke vënë theksin në nevojën e forcimit të rolit të diplomacisë në uljen e polarizimeve në nivel global dhe në vendosjen e paqes er sigurisë.

Presidentja Osmani, siç njofton kabineti i saj, do të marrë pjesë në panelin në temën bosht të forumit, ku do të paraqesë vrojtimet dhe pikëamjet e saj për zhvillimet aktuale në rajon.

Në margjina të Forumit, ajo do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Kosovës.

Forumi Diplomatik i Antalisë është një platformë e nivelit të lartë, që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

(r.m.)

Comment

*