Presidentja Osmani kërkon trajtim me urgjencë të rastit të helmimeve në Deçan

Prishtinë, 13 korrik 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka vizituar sot komunën e Deçanit, për t’u njohur me situatën e krijuar në këtë komunë ku kanë kërkuar ndihmë mjekësore mbi 1 mijë qytetarë me simptoma të helmimit.

Zonja Osmani ka thënë se duhet të priten rezultatet e të gjitha analizave laboratorike për të zbuluar burimin e helmimit. Ajo u ka bërë thirrje institucioneve shëndetësore dhe organeve të hetuesisë dhe prokurorisë që ta trajtojnë me urgjencë këtë rast.

“Ka edhe qytetarë që vinë nga fshatrat tjerë e që s‘janë furnizuar nga ai burim i ujit. Përveç analizave kimike ne po i presim edhe ato biologjike që presim që brenda disa orëve të përfundojnë. Pres që institucionet e drejtësisë dhe ato të hetuesisë ta trajnojë rastin me urgjencë dhe sa më parë që të jetë e mundur ta dimë shkakun e helmimit“, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se institucionet shtetërore do të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet lokale që gjendja e krijuar në komunën e Deçanit të tejkalohet sa më shpejt.

Presidentja Osmani, së bashku me zëvendës-kryeministren dheministren e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka vizituar pacientët në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan.

Me këtë rast ajo ka kërkuar po ashtu që të gjendet burimi i këtij infeksioni.

Gërvalla, ka thënë se Qeveria do të vë në dispozicion gjithë potencialin në dispozicion për të zbuluar shkaktarin e helmimeve në komunën e Deçanit.

“Fillimisht u mendua se mund të jetë njëfarë mikrobi në ujë, por kjo momentalisht nuk është konfirmuar. Prandaj jemi në kërkim, me të gjithë potencialin tonë”, ka thënë ajo.

Zonja Gërballa ka thënë se qeveria do të ndihmojë komunën e Deçanit për të përballuar dhe për ta tejkaluar gjendjen emergjente.

“Si qeveri, jemi të ndërgjegjshëm për situatën në Deçan. Kryetari i komunës e ka shpallur gjendjen emergjente që na vë parasysh se me çfarë gjendjeje kemi të bëmë. Kemi filluar koordinimin mes kolegëve tjerë për të gjetur zgjidhjen në këtë komunë”, ka theksuar ajo.

(r.m.)