Prishtinë, 11 prill 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përkujtuar Heroin e Kosovës, Agim Ramadani, në 24 vjetorin e rënies së tij në luftën për lirinë e Kosovës.
Në dedikimin e saj, Presidentja Osmani e cilëson Agim Ramadanin “personifikim i lirisë dhe i lavdisë”.
“Liria jonë e mban vulën e Agim Ramadanit dhe të heronjve të tjerë, të cilët e përmbushën idealin e brezave, e mbrojtën dinjitetin, e kthyen shpresën dhe e përcaktuan rrugëtimin e shtetit të Kosovës“, thekson presidentja Osmani në deklaratën e saj.
Agim Ramadani ishte njëri prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ishte komandant i Brigadës 138, e cila e theu mbrojtjen e kufirit
Agim Ramadani ishte njëri ndër hartuesit e operacionit kundër forcave serbe në kufirin mes Kosovës e Shqipërisë në Koshare. Ai e udhëhoqi brigadën në betejën për thyerjen e kufirit dhe i pari që e shkuli piramidën e kufirit në Koshare.
Agim Ramadani ra dëdshmor në luftimet e afërta me forcat serbe ne vendin e quajtur “Zharret” në afërsi të Koshares, më 11 prill 1999.
Deklarata e plotë e Presudentes Osmani:
24-vjet më parë Agim Ramadani u përjetësua në hero, u bë lajmëtar i lirisë bashkë me luftëtarët e UÇK-së, vullneti dhe guximi i të cilëve theu kufirin ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.
Njeriu i penës, brushës e pushkës është personifikim i lirisë, rrugës deri te ajo, por edhe lavdisë së përhershme.
Liria jonë e mban vulën e Agim Ramadanit dhe të heronjve të tjerë, të cilët e përmbushën idealin e brezave, e mbrojtën dinjitetin, e kthyen shpresën dhe e përcaktuan rrugëtimin e shtetit të Kosovës.
Përkulemi me respekt para heroizmit të Agimit me bashkëluftëtarë. Do t`i kujtojmë përherë dhe do ta përmbushim çdo ditë testamentin e tyre për Republikën!
(r.m.)