Presidentja Osmani merr pjesë në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian

Prishtinë, 5 tetor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Pragë,  ku do ta  përfaqësojë Kosovën në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Në këtë samit do të marrin pjesë udhëheqës shtetesh nga 44 vende të kontinentit evropian, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë evropianë, për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta. Ajo do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Kosovës për integrimin euro-atlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë.

Në takimet bilaterale, Presidentja Osmani do të kërkojë mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidenti francez, Emmanuel Macron,  në të cilën do të bashkohen liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe liderët e 17 vendeve të tjera evropiane.

Kjo nismë synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.

(r.m.)