Presidentja Osmani: Nora Gjakova i solli dritë Kosovës, në këtë die zie

Prishtinë, 26 korrik 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar xhudisten kosovare Nora Gjakova medaljen e artë olimpike që e fitoi sot në “Tokyo 2020”.

Në urimin e saj, përcjellë përmes rrjetit social Facebook, Presidentja Osmani ka shkruar se Nora Gjakova i solli  dritë Kosovës, në këtë ditë zie. Ajo ka theksuar se Nora, bashkë me Majlinda Kelmendin dhe Distria Krasniqin, po i japin motiv “për t’u ringritur edhe në vështirësi” gjithë popullit të Kosovës,

“Në këtë ditë zie për popullin tonë, Nora Gjakova i solli dritë Kosovës. Faleminderit Nora e artë që duke ecur rrugës së Majlindës e Distrias po i jepni motiv një populli të tërë, për t’u ringritur edhe në vështirësi.

Xhudistet tona po arrijnë majat që shumë shtete i kanë ëndërruar. Ato janë epiteti më i mirë i Kosovës së ditëve tona. Përzemërsisht, ju faleminderit! 🇽🇰”, ka shkruar ajo.

Presidentja Osmani ka marrë pjesë në hapje të Lojërave Olimpike “Tokyo 2020” dhe i ka  ndjekur në sallë duelet e deritashme të xhudistëve kosovarë që po e përfaqësojnë Kosovën me dinjitetin më të lartë.

Të dielën, ajo e ka ndërprerë vizitën e saj në Japoni, për shkak të aksidentit tragjik që ndodhi në afërsi të Sllavonski Brodit, në Kroaci, për t’iu gjendur pranë familjeve të 10 viktimave, të lënduarve dhe udhëtarëve të tjerë të traumatizuar të autobusit që u përmbys anës rrugës.

Presidentja Osmani e ka shpallur ditën e sotme Ditë Zie Shtetërore, nënderim të viktimave të këtij aksidenti.

(r.m.)