Presidentja Osmani përkujton 32 vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut

Prishtinë, 7 shtator 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 32 vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut.

Në një postim në rrjetet sociale, Presidentja Osmani ka thënë se me miratimin e kësaj kushtetute ishte vënë guri i themelit të shtetësisë së Kosovës. Ajo ka shprehur mirënjohje të thellë delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës që e kishin kryer këtë akt, të cilin e quan heroik.

“Sot, 32 vjet më pas, teksa e kujtojmë këtë datë historike, ne i përulemi guximit të delegateve e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, përkushtimit të tyre ndaj atdheut dhe këmbënguljes për ta parë të jetësuar shtetin e tyre. Duke e miratuar Kushtetutën, ata e vendosën gurin e parë, themeltar, të shtetësisë sonë. Me të nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani, ndër të tjera.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës u miratua pas miratimit të Deklaratës Kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës,më 2 korrik 1990. Seanca e Kuvendit ku u miratua Kushtetuta u mbajt më 7 shtator 1990 në Kaçanik, prandaj ajo njihet si “Kushtetuta e Kaçanikut”.

Të dyja këto akte historike kurorëzuan përpjekjet e popullit të Kosovës për pavarësi nga Serbia, e cila u përpoq me të shuajë me forcë vullnetin politik të popullit të Kosovës.

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

32 vjet më parë, gra e burra përfaqësues, me guximin qytetar e vetëdije kombëtare, e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila shënon aktin e parë në krijimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe i fortifikon përpjekjet e brezave të tërë për shtet të pavarur.

Përfaqësuesit e atëhershëm të Kuvendit, më 7 shtator 1990 i dolën zot vendit dhe e përjetësuan në Kushtetutë vullnetin e qytetarëve të cilët i përfaqësonin, duke e vulosur përfundimisht përpjekjen për liri, demokraci e shtet të pavarur. Ata e sfiduan një shtet e një regjim të egër, duke i vënë themelet e palëkundura të Kosovës së pavarur.

Sot, 32 vjet më pas, teksa e kujtojmë këtë datë historike, ne i përulemi guximit të delegateve e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, përkushtimit të tyre ndaj atdheut dhe këmbënguljes për ta parë të jetësuar shtetin e tyre. Duke e miratuar Kushtetutën, ata e vendosën gurin e parë, themeltar, të shtetësisë sonë. Me të nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës. 

Përjetësisht mirënjohës për këtë akt historik!

(r.m.)