Presidentja Osmani pret që Kurti e Vuçiq të takohen gjatë këtij muaji

Lubjanë, 4 korrik 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të hënën se pret një takim i kryeministrit të Kosovës, albin Kurti,dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të realizohet gjatë muajit korrik.

Në një konferencë për media me presidentin slloven, Borut pahur, në Slloveni, ku gjendet në vizitë dyditore, Osmani tha se Kosova gjithmonë ka qenë konstruktive dhe është angazhuar në mënyrë aktive në dialog. Ajo theksoi se Prishtina ofron propozime që kontribojnë në forcimin e paqes në rajon.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, procesi po vazhdon. Ka pasur takime në nivel të kryenegociatorëve dhe shumë shpejt – besoj gjatë korrikut, por kjo varet nga lehtësuesit evropianë – ne do të kemi një takim në nivel të liderëve. Por, procesi ka vazhduar, ka qenë konstant dhe shumë dinamik dhe po ashtu ka rezultuar me udhëzuesin për marrëveshjen për energjinë që mendoj se është një arritje e madhe në proces. Po ashtu ka zhvillime pozitive në çështjen e të zhdukurve me dhunë që është një rrugë e rëndësishme drejt paqes dhe pajtimit në mbarë rajonin”, tha Osmani.

Ndërsa homologu i saj slloven, Borut Pahor, bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të ringjallin dialogun që ka nisur më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Ne dëshirojmë të ringjallim dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Sllovenia është mike e mirë e të dyja shteteve dhe ne do të donim që ky dialog të jetë i sinqertë dhe të japë rezultate, jo vetëm në formë të marrëveshjeve, por edhe në zbatimin e tyre. Prandaj, ne do të donim të ringjallnim shpresën që kemi parë në fillim të këtij procesi dhe kjo shpresë do të ishte e rëndësishme jo vetëm për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, por do t’u jepte shpresë të gjithëve në rajon, sepse ata do ta shihnin se të gjitha çështjet mund të zgjidhen përmes dialogut”, tha Pahor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar në Bruksel që nga korriku i vitit 2021. Deri më tani, ata i kanë zhvilluar vetëm dy takime dhe që të dyja kanë përfunduar pa ndonjë rezultat konkret.

Zyrtarët e BE-së kanë thënë se janë duke përgatitur një takim të ri midis Kurtit dhe Vuçiqit, por ende nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur mund të zhvillohet ai.

Presidentja Osmani dhe Presidenti Pahor folën edhe për procesin e integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike dhe në organizatat tjera ndërkombëtare.

Zonja Osmani tha se Sllovenia është një prej mbështetëseve më të zëshme për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe në institucione të ndryshme ndërkombëtare.

Ndërsa zoti Pahor konfirmoi se shteti i tij angazhohet që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të përmbyllet sa më shpejt.

“Pikë së pari, ne presim nga partnerët tanë evropianë të përmbushin premtimet e tyre. Këtu e kam fjalën për liberalizimin e vizave. Marrëveshja tashmë është arritur dhe do të ishte e padrejtë për të rihapur këto diskutime”, tha Pahor.

Presidentja Osmani tha se Kosova i ka plotësuar kriteret për viza qe katër vjet dhe pret që procesi i liberalizimit të përfundojë presidencës çeke të BE-së, pra në gjashtë  muajt në vijim.

“Ne presim që kjo të ndodhë në muajt e ardhshëm, por pavarësisht sfidave dhe pengesave ne do të vazhdojmë të ecin në atë rrugë si evropianë të vërtetë”, tha ajo.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë rekomanduar të merret vendim pozitiv në këtë drejtim dhe tani çështja është te Këshilli i ministrave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

(r.m.)