Interlaken (Zvicër), 1 shtator 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Zvicrës. Para rreth 1500 përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, akademikëve, politikanëve e përfaqësuesve të mediave zvicerane, ajo ka prezantuar potencialin ekonomik të Kosovës.
Osmani ka thënë se në fjalimin e saj ka theksuar mundësitë e shumta për investime në Kosovë.
“Përpara rreth 1500 përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, akademikëve, politikanëve e përfaqësuesve të mediave zvicerane prezantova sot potencialin ekonomik të Republikës së Kosovës dhe theksova mundësitë e shumta për investime në vendin tonë, si e ftuar e Forumit Ekonomik të Zvicrës”, ka thënë ajo.
Zonja Osmani ka theksuar se Kosova është vend ideal për investitorë.
“Në mesin e arsyeve të shumta për të investuar në Kosovë, përmenda një fuqi punëtore të përgatitur, potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve tanë dhe sukseset e tyre, legjislacionin e bashkërenduar me atë të BE-së, mbrojtjen që i ofrohet investitorëve të huaj dhe shumë arsye të tjera që e bëjnë Kosovën vendin ideal për të investuar”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka thënë se investitorët kanë shprehur interesim përinvestime në Kosovë dhe ka theksuar se shteti i Kosovës duhet të punojë shumë për shndërrimin e këtij interesimi në investime.
“Interesimi i bizneseve e investitorëve për Kosovën u vërejt shumë qartë. Ne na mbetet të punojmë fort e të sigurohemi që interesimi i tyre të shndërrohet në investime të suksesshme në vendin tonë”, ka shkruar Presidentja Osmani.
(r.m.)