Otava (Kanada), 19 nëntor 2021 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur me nderime të larta ushtarake në Kanada.
Ditën e parë të vizitës së saj në Kanada, Presidentja Osmani i ka dekoruar Forcat e Armatosura të Kanadasë me Medaljen Presidenciale Ushtarake, për kontributin e tyre në kuadër të forcave të NATO-s, gjatë intervenimit në Kosovë, më 1999, si edhe për shërbimin e tyre në Kosovë prej mbi dy dekadash.
Presidentja Osmani e ka vlerësuar lart rolin e forcave paqeruajtëse kanadeze për ndërtimin e një shoqërie të sigurt në periudhën e pasluftës në Kosovë. Ajo ka thënë se ushtarët kanadezë, krahas ushtrive të kombeve të tjera, ndihmuan për lirinë e Kosovës, për çka populli i Kosovës do t`u jetë mirënjohës për jetë.
Gjatë takimit me ministren e Mbrojtjes, Anita Anand, Presidentja Osmani e ka theksuar nevojën e bashkëpunimit midis Kosovës e Kanadasë në fushën e sigurisë. Ajo ka folur edhe për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar sekjo forcë po shndërrohet në ushtri moderne, falë bashkëpunimit me partnerët strategjikë.
Në këtë kontekst, zonja Osmani e ka veçuar programin MTCP (Programi i Bashkëpunimit në Stërvitje Ushtarake) dhe e ka shprehur gatishmërinë për përfshirjen e Kosovës në këtë program.
Presidentja Osmani i ka vlerësuar shumë të mira marrëdhëniet midis Kosovës e Kanadasë, Ajo e ka falënderuar qeverinë kanadeze për mbështetjen e Kosovës dhe ka theksuar se Kosova ka ende nevojë për mbështetje, sidomos për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Presidentja Osmani ka folur edhe për ndikimin e Rusisë në vendet e Ballkanit. Ajo ka paralajmëruar për rrezikun e destabilizimit nga retorika luftënxitëse dhe militarizimi i Serbisë.
(r.m.)