Prishtinë, 24 shkurt 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve e Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
Zyra e Presidentes Osmani njoftoi se në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe në rajon, si edhe për mundësitsë e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Presidentja Osmani dhe ambasadori Hovenier gjithashtu diskutuan edhe për mundësitë e bashkëpunimit gjithëpërfshirës bilateral në fusha të interesit të përbashkët, përfshirë fushën e energjetikës, sigurisë dhe fusha të tjera”, thuhet në njoftim.
Takimi i Presidentes Osmani mde ambasadorin Hovenier u zhvillua dy ditë para takimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, ku pritet të diskutohet për propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin fuqishëm propozimin, të cilin e konsiderojnë si mundësi për arrtjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse , e cila, siç thuhet, “në fund të fundit, duhet të synojë njohjen reciproke”.
“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në fund të fundit, duhet të synojë njohjen reciproke”, ka thënë Departamenti i Shtetit në një përgjigje për Zërin e Amerikës.
(r.m.)