Presidentja Osmani shpreson se Greqia do ta njohë Kosovën

Prishtinë, 8 qershor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Greqisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në programin e Partneritetit për Paqe dhe në NATO. Ajo ka theksuar se anëtarësimi në këto organizata është garanci shtesë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë rajonin.

Presidentja Osmani ka tërhequr vëmendjen në rrezikun nga tendencat destabilizuese të Rusisë në Kosovë, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Mal të Zi, nëpërmjet satelitit të saj në rajon, Serbisë.

Duke folur për marrëdhëniet midis dy vendeve, Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë për thellimin dhe zgjerimit të mëtejmë të bashkëpunimit. Ajo ka theksuar nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë në politikën e jashtme dhe për rritjen e shkëmbimeve ekonomike e tregtare dhe të bashkëpunimit në fushën e turizmit, kulturës dhe në sfera të tjera me interes të dyanshëm.

Presidentja Osmani e ka vlerësuar gatishmërinë e Greqisë për thellimin e bashkëpunimit dhe ka shfaqur shpresën se Athina do ta marrë së shpejti vendimin formal për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kabineti i Presidentes Osmani njoftoi se në takim është diskutuar edhe licdhur me situatën e krijuar nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Presidentja Osmani ka përsëritur se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së ndaj Rusisë dhe në mbështetje të plotë për popullin ukrainas.

Ajo ka thënë se Kosova ka strehuar një grup të gazetarëve ukrainas dhe se është e hapur edhe për strehimin e refugjatëve të tjerë ukrainas, në rast nevoje.

(r.m.)