Antalia, 11 prill 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të premten në Antalia të Turqisë me Presidentin e Sirisë së lirë, z. Ahmed al Sharaa.
Takimi është realizuar në margjina të edicionit të katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë, ku po marrin pjesë liderë të shumë vendeve të botës.
Presidentja Osmani, në një postim në rrjetet sociale, ka hënë se takimi me presidentin al Sharaa shënon hapjen e “një kapitull të ri” të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Sirisë.
Ajo ka thënë se Kosova dhe Siria ndajnë plage dhe sfida të njëjta.
“Populli i Kosovës dhe populli i Sirisë kanë përjetuar vuajtje të panumërta nga regjime diktatoriale e gjenocidale, në luftën e tyre për të qenë të lirë.
Sot, me Presidentin e Sirisë së lirë, z. Ahmed al Sharaa, kishim takimin tonë të parë për ta hapur kapituj të ri bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona.
Kosova dhe Siria ndajnë plagë të njëjta: dhimbjen e luftës, shpërnguljen, e sfidat e rindërtimit, ndaj Kosova është e gatshme ta ndajë përvojën e saj në ndërtimin e institucioneve demokratike”, ka shkruar ajo.
Presidenca e Sirisë, në njoftimin për takimin e presidentit Ahmed al Sharaa, i është referuar Presidentes Osmani si Presidente të Republikës së Kosovës, ndonëse ky vend nuk e ka njohur ende shtetin e Kosovës.
“Presidenti i Republikës Arabe të Sirisë, z. Ahmad Al-Shara dhe Shkëlqesia e Tij Ministri i Punëve të Jashtme, z. Asaad Al-Shaibani, takohen me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, në margjinat e Forumit Diplomatik në Antalia”, ka njoftuar Presidenca Siriane.
Lajmin për takimin e ka transmetuar agjencia zyrtare e lajmeve, Sana.
Presidentja Osmani, siç njofton kabineti i saj, në margjina të Forumit Diplomatik të Antalias, do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Kosovës.
(r.m.)