Presidentja Osmani takoi kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi

Uashington, 28 prill 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, është pritur të enjten në takim nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi.

Zyra e presidentes së Kosovës njofton se Presidentja Osmani e ka falënderuar Kryetaren Pelosi për mbështetjen e Kosovës për dekada me radhë, sidomos në kohën kur Kosova kishte më së shumti nevojë – gjatë procesit të çlirimit dhe shtetndërtimit. Ajo e ka falënderuar zonjën Pelosi edhe për angazhimin e saj të vazhdueshëm për afrimin e mëtejshëm të SHBA-së me Kosovën.

Presidentja Osmani ka theksuar se SHBA-të janë aleati më i besueshëm dhe partneri më strategjik i Kosovës dhe ka theksuar se Kosova është rreshtuar qartësisht në krah të SHBA-së, në angazhimet e saj për vendosjen e paqes dhe mbrojtjen e vlerave demokratike.

Zonja Osmani ka theksuar rëndësinë e avancimit të Kosovës në rrugën e integrimeve në strukturat euro-atlantike.

Në njoftimin e zyrës së presidentes së Kosovës thuhet se zonja Osmani dhe zonja Pelosi kanë diskutuar edhe për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët për Kosovën dhe SHBA-të, si edhe për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit për përballimin e sfidave të përbashkëta në rajon dhe në botë.

Presidentja Osmani e ka ftuar Kryetaren Pelosi ta vizitojë Kosovën, duke theksuar se vizita e saj do të kontribuonte në avancimin e raporteve të shkëlqyeshme e të veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Presidentja e Kosovës pritet të takohet në SHBA edhe me autoritete të tjera politike e publike.

(r.m.)