Presidentja Osmani takoi nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave shqipe në Nju Jork

Nju Jork, 21 shtator 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar të shtunën një takim sot me nxënës dhe mësimdhënës të shkollave shqipe në Nju Jork.

Në një postim në Facebook, ajo e ka vlerësuar lart entiziazmin dhe përkushtimin e prindërve të nxënësve dhe të mësimdhënësve shqiptarë për ta ruajtur gjuhën dhe identitetin kombëtar në Amerikë.Ajo ka bërë të ditur se nxënësve ua ka dhuruar nga një Abetare, për të ndihmuar  mësimin e shqipes.

“Një mikpritje e përzemërt sot nga nxënës e mësimdhënës të disa shkollave shqipe në Nju Jork, të cilat me entuziazëm e përkushtim vazhdojnë ta mbajnë gjallë gjuhën shqipe dhe trashëgiminë tonë kulturore. Falënderoj Mark Gjonajn për këtë organizim ku kisha nderin e veçantë që nxënësve të shumtë shqiptarë t’u dhuroj abetaren tonë, për të vazhduar me zell mësimin e gjuhës shqipe”, ka shkruar ajo.

Të shtunën Presidentja Osmani e vizitoi në Boston Federatën Panshqiptare “Vatra”, të cilën e cilësoi si pikë referimi për shqiptarët në Amerikë dhe si promovuese të kauzës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Osmani ndodhet në Nju Jork në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Ajo do të zhvillojë takime me liderë botërorë e udhëheqës të organizatave ndërkombëtare dhe do të marrë pjesë në aktivitete tjera zyrtare.

(r.m.)