Presidentja Osmani u takua në Nju Jork me Derek Chollet e Gabriel Escobar

Nju Jork, 21 shtator 2022 – Presidentja e Kosovës është takuar të martën në Nju Jork me z. Derek Chollet, këshilltar në Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), dhe z. Gabriel Escobar, i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, njofton Zyra e Presidentes së Kosovës.

Në njoftim thuhet se në takim me zyrtarët e lartë amerikanë, Presidentja Osmani ka diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon, për procesin e integrimeve euro-atlantike të Kosovës dhe për dialogun me Serbinë.

“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve dhe, në veçanti, për përkrahjen e SHBA-ve në procesin e dialogut. Ajo gjithashtu theksoi nevojën për të ecur përpara me procesin e dialogut me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke. Presidentja Osmani, potencoi nevojën që Serbia t`i zbatojë obligimet e saj nga marrëveshja për udhërrëfyesin e energjisë dhe nevojën urgjente që të arrihet sukses sa i përket marrëveshjes për të zhdukurit me dhunë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Vetë Presidentja e ka falënderuar SHBA-në për rolin aktiv që ka marrë në dialogun Kosovë – Serbi.

“Në Nju Jork, u takova me Këshilltarin e Departamentit Shtetëror të SHBA Chollet dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin Escobar për të diskutuar mbi integrimet euroatlantike të Kosovës, ku theksova se kjo është një domosdoshmëri për stabilitet të qëndrueshëm.

Falënderoj SHBA-në për rolin e tyre aktiv në mbështetjen e dialogut Kosovë-Serbi”, ka shkruar ajo në Twitter.

Presidentja Osmani do të marrë pjesë në takimin e Presidentit të SHBA-së, Joe Biden, me liderë të vendeve të botës që pomarrin pjesë në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ajo do të zhvillojë takime bileterale me liderë e përfaqësues të vendeve të ndryshme dhe të organizatave ndërkombëtare.

(r.m.)