Presidentja Osmani udhëtoi për vizitë zyrtare në Mal të Zi

Prishtinë, 6 shkurt 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Mal të Zi, me ftesë të homologut Milo Gjukanoviq.

Zyra e Presidentes Osmani bëri të ditur se gjatë vizitës në shtetin fqinj, Presidentja Osmani do të zhvillojë takim me presidentin Gjukanoviq dhe me kryeministrin Dritan Abazoviq.

Në të dy takimet pritet të konfirmohen marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis dy shteteve. të diskutohet për situatën aktuale politike e të sigurisë në rajon dhe për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.

Në agjendën e Presidentes Osmani është edhe vizita në komunën e Ulqinit dhe në komunën e Tuzit. Në Ulqin, ajo do të ketë takime me kryetarin e komunës Omer Bajraktari, me përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Mal të Zi dhe me një grup intelektualësh dhe miqsh të Kosovës.

Kurse në Tuz do të takohet me kryetarin e komunës, Nik Gjeloshaj, dhe do ta vizitojë një nga bizneset e suksesshme të kësaj komune, i cili është investimi më i madh nga Kosova.

(r.m.)