Presidentja Osmani u takua me presidentin Steinmeier dhe kancelarin Scholz

Berlin, 18 qershor 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Presidentin e Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier dhe me kancelarin gjerman Olaf Scholz. Të dy takimet janë realizuar në kuadër të Lojërave Olimpike Speciale Botërore në Berlin.

Presidentja Osmani ka njoftuar se me Presidentin e Steinmeier dhe me kancelarin Scholz kanë diskutuar për situatën aktuale nw Kosovë dhe për “hapat e nevojshëm për të ecur përpara”. Ajo ka shprehur gatishmërrinë “për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal” dhe e ka vlerësuar angazhimin e Gjermanisë për lirimin e tre policëve Kosovarë të arrestuar nga forcat serbe”.

“Në kuadër të Lojërave Olimpike Speciale Botërore Berlin 2023, pata mundësinë të diskutoj për zhvillimet e fundit në Kosovë me Presidentin e Gjermanisë Steinmeier. Në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera Kosovë-Gjermani, konfirmuam gatishmërinë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal”, ka shkruar Presidentja Osmani, pas takimit me Presidentin Steimeier.

“Në Berlin, poashtu në kuadër të Lojërave Olimpike Speciale Botërore Berlin 2023, pata mundësinë që të bashkëbisedoj me kancelarin Olaf Scholz ku diskutuam për hapat e nevojshëm për të ecur përpara.

Shpreha mirënjohje për mbështetjen dhe qëndrimin e qartë të Gjermanisë për lirimin e menjëhershëm të policëve tanë”, ka shkruar ajo pas takimit me kancelarin Scholz.

(r.m.)