Prezantohet masterplani i restaurimit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Prishtinë, 6 gusht 2024 – Të hënën në Prishtinë u bë prezantimi i projektit fitues të konkursit ndërkombëtar për restaurimin dhe revitalizimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Kompleksi shtrihet në një hapësirë prej 450 hektarësh, në fshatin Prekaz.

Projekti është hartuar nga kompanitë “Gerber Architekten International GmbH (Gjermani) dhe Donald Insall Associates & Barker Langham (Mbretëri e Bashkuar).

Kryeministri Albin Kurti, në ceremoninë e prezantimit të projektit, tha se ky kompleks memorial është vendi më i rëndësishëm i kujtesës kombëtare.

“Shtëpia në traditën tonë nuk nënkupton vetëm ndërtesën, por bashkësinë e lidhur nëpërmjet farefisnisë dhe, në një kuptim më të gjerë, shtëpia ka domethënien e vatrës apo atdheut. E mu për këtë, Kompleksi Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz është vendi më i rëndësishëm i kujtesës kombëtare, e konceptuar si “Oda e kombit”. Vetëmohimi, sakrifica e vetëflijimi i familjes Jashari janë gurëthemel i çlirimit të vendit tonë dhe, për më tepër, janë shembull botëror i flijimit për liri”, tha ai.

“Epopeja e UÇK-së është ngjarja historike si konkretësi universale. Duke marrë parasysh rëndësinë e detyrës, me rëndësinë më të madhe kemi marrë të gjitha hapat që ky projekt i ruajtjes dhe prezantimit të kujtesës së familjes Jashari të trajtohet me ndjeshmëri dhe përgjegjësi të lartë, me një qasje profesionale e multidisiplinare, nga historia, monumentalitetit, peisazhi kulturor e natyror, deri te vlerësimi profesional teknik dhe institucionalizimi i memories kolektive”, tha ai.

“Ky masterplan do të ofrojë një interpretim dinjitoz e gjithëpërfshirës për rrëfimin e historisë së familjes Jashari, rrëfim që do t’i tejkalojë barrierat kohore të brezit tonë dhe ato hapësinore të vendit tone”, theksoi Kryeministri Kurti.

“Synimi sipëror i këtij projekti është që kur ai të ketë përfunduar, Kompleksi “Adem Jashari”, të ketë marrë pamjen dhe trajtën e një peizazhi historik kompleks në të cilin vizitat do të jenë udhëtime në tërë historinë e Jasharëve të Prekazit, nga tradita e rezistencës te kultura e patriotizmit, nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri dhe rrethimi i parë i familjes së Shaban Jasharit më 1991 te themelimi i UÇK-së. Nga aksionet e para të armatosura, te vetë organizimet e grupeve të armatosura”, u shpreh Kurti.

Projekti për restaurimin dhe revitalizimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz është njëri ndër projektet më të mëdha të Ministrisë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ministri Hajrulla Çeku tha se ky projekti do të shpërfaqë trimërinë dhe sakrificën e familjes Jashari për liri.

“Trimëria e fisnikëria, heroizmi e sakrifica e familjes Jashari kanë qenë e do të mbesin shembull përherë. Është obligim edhe nder për ne ta ruajmë në kujtesën tone kolektive”, tha Çeku.

Bekim Jasharit, përfaqësues i familjes Jashari që është bërë sinonim i sacrifices dhe flijimit për liri, tha se projekti do të shpëtojë kujllat e familjes Jashari, të cilat tani janë të gjithë Kosovë.

“Është një hap i shumëpritur për të parandaluar dëmtimin më të madh të kullave që dikur ishin të babës Shaban, e tash janë të gjithë Kosovës”, tha ai.

Përfaqësuesit e konzorciumit fitues të pasterplanit, duke prezantuar projektin, thanë se kullat e familjes Jashari do të ruhen ashtu siç kanë mbetur pas sulmeve me armë të këmbësorisë dhe artilerisë së forcave të uashtrisë e policisë serbe. Sipas projektit, kullat do të rrethohen me xham, ashtu që të shihen më qartë gjurmët e sulmeve të forcave serbe dhe rezistencës së familjes Jashari.

Projekti përfshin një muze kombëtar,një ekspozitë të përhershme, një amfiteatër, një arkiv, një librari, hapësira për vizitorë, hapësirë për fëmijë, si edhe hapësirë për konferenca, restorant, hapësira të gjelbra, etj.

Pjesë e kompleksit do të jetë edhe kulla e ujit e fabrikës së dikurshme të munizioneve të gjuetisë, e cila gjendet afër 2 kilometra nga kullat e Jasharëve. Prej kësaj kulle forcat serbe kanë sulmuar me armë të ndryshme familjen Jashari.

Vlera e kontratës për reastaurimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz është 7 milionë e 890 mijë euro. 

This image has an empty alt attribute; its file name is Projekti-i-Kompleksit-Memorial-Adem-Jashari-ne-Prekaz-3.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Projekti-i-Kompleksit-Memorial-Adem-Jashari-ne-Prekaz-1.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Projekti-i-Kompleksit-Memorial-Adem-Jashari-ne-Prekaz-6.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Projekti-i-Kompleksit-Memorial-Adem-Jashari-ne-Prekaz-2.jpgThis image has an empty alt attribute; its file name is Projekti-i-Kompleksit-Memorial-Adem-Jashari-ne-Prekaz-5.jpgThis image has an empty alt attribute; its file name is Projekti-i-Kompleksit-Memorial-Adem-Jashari-ne-Prekaz-4.jpg

(r.m.)