Uashington, 9 nëntor 2022 – Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha të martën se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacioni të komunave me shumicë serbe.
Në konferencën e përditshme me gazetarë zoti Price tha se Shtetet e Bashkuara pajtohen me vlerësimin e Bashkimit Evropian se zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës janë shqetësuese.
“Ato vënë në rrezik përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Largimi i serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka potencial për ta përshkallëzuar më tutje situatën në terren. Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqe dhe qëndrueshmëri”, tha zoti Price.
Punonjësit serbë në veriun e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politikë vendosën të tërhiqen nga të gjitha institucionet vendase pas mospajtimeve me vendimin e qeverisë qendrore në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, duke krijuar një situatë të tensionuar në zonë.
Beogradi zyrtar tha se kthimi i tyre do të varet nga veprimet e mëtejme të Prishtinës.
“Veprimet e retorikat që rrisin mundësinë e dhunës, vetëm se vënë në rrezik të panevojshëm jetët e qytetarëve të pafajshëm dhe të trupave paqeruajtëse ndërkombëtare. Kosova e Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara tashmë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Këtu përfshihet edhe fillimi i negociatave për ta themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, tha zëdhënësi Price.
(Zëri i Amerikës)