Princi Harry: Familja ime s’është e sigurt në Mbretërinë e Bashkuar

Princi Harry ka thënë se fëmijët e tij nuk mund “të ndihen si në shtëpi” në Mbretërinë e Bashkuar, pasi, sipas tij, atyre u mungon mbrojtja adekuate.

Duka i Sussex (djali më i vogël i Princit Charles III) dhe gruaja e tij Meghan Markle e kanë humbur mbrojtjen e rregullt sipas ligjit pasi ata kanë vendosur të largohen nga familja mbretërore në vitin 2020 dhe janë vendosur në SHBA.

Harry po e kundërshton këtë vendim në gjykatë nga një agjenci e Home Office që tani i siguron atij mbrojtje nga policia rast pas rasti.

Sot, në ditën e fundit të seancës, e cila ka filluar të martën me dyer të mbyllura, avokati i Harry-t, Shahid Fatima, e ka lexuar një deklaratë të princit, i cili nuk ka qenë i pranishëm në seancën e apelit.

“Mbretëria e Bashkuar është qendrore në historinë e fëmijëve të mi dhe një vend ku do të shpresoja që ata të ndihen si në shtëpi, edhe nëse aktualisht jetojnë në SHBA. Por kjo është e pamundur nëse nuk është e mundur të sigurohet mbrojtja e tyre kur ata janë në tokën britanike”, citohet të ketë thënë Harry.

“Nuk mund ta vë gruan time në atë lloj rreziku, duke pasur parasysh atë që kam kaluar. Nuk jam i gatshëm ta vë veten në rrezik të panevojshëm,” ka thënë ai.

Princi ka theksuar se ai dhe gruaja e tij ishin ndjerë të detyruar të largoheshin nga Britania në vitin 2020 dhe të tërhiqeshin nga detyrat e tyre mbretërore.

Ditët e fundit, avokati i tij ka argumentur se vendimi i marrë nga autoritetet britanike për të ndryshuar rregullat për dhënien e mbrojtjes ishte “i padrejtë”, duke pasur parasysh statusin e tij dhe rrethanat e vdekjes së nënës së tij, Princeshës Diana.

(Panorama.al)