Prishja e martesës dhe green card-a me kusht – Çfarë ndodh?

Avokati Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

 

Pyetje nga lexuesi:

Kur mora green card-ën, më thanë se nuk është e përhershme dhe se do të më duhej të aplikoja për një të re pas dy vitesh. Burri im u tregua i keq me mua dhe më kërcënoi se do të më dëbonte nëse nuk e mbështesja. Kam frikë se do të më duhet të largohem nga SHBA-ja. Ju lutem më tregoni çfarë të bëj.

Anonime

Ju është dhënë green card “me kusht” pasi kur keni bërë kërkesë për green card nuk keni qenë e martuar “për një kohe të gjatë” me bashkëshortin amerikan. Dikujt që martohet me një nënshtetas amerikan mund t’i jepet statusi i rezidentit të ligjshëm të përhershëm (green card) me kusht nëse në kohën që ka marrë këtë status, personi ka qenë i martuar për më pak se dy (2) vjet me nënshtetasin amerikan. Kushti mund të hiqet pasi të burri dhe gruaja të paraqesin së bashku një peticion (formulari I-751) gjatë periudhës 90 ditore që i paraprin dy vjetorit të datës kur u lëshua green card-a. Ky peticion quhet “Joint Petition” (Peticion i përbashkët).

Nga letra duket se bashkëshorti nuk do të bashkëpunojë me ju kur të vijë koha që të paraqisni peticionin e përbashkët për heqjen e kushtit. Në raste të ngjashme, kur bashkëshortët nuk mund të paraqesin peticionin bashkarisht, mund të paraqitet një “waiver” pra leje për të paraqitur më vete formularin I-751 për heqje kushti. Lexuesi/ja jonë duhet të paraqesë formularin I-751 si dhe kërkesën për waiver.

Residenca e ligjshme me kusht mbaron nëse peticioni nuk paraqitet në kohë, kurse waiver-i mund të paraqitet përpara, gjatë ose dhe pasi të jetë mbyllur dritarja kohore për të paraqitur bashkarisht peticionin I-751. 

Ligjet e emigracionit parashikojnë tre lloje të ndryshme kërkesash për leje (waiver) për të paraqitur më vete formularin për heqje kushti:  

  • Lidhja martesore kur filloi ishte e vërtetë, por më vonë përfundoi në divorc ose u anullua;  
  • Lidhja martesore ishte e vërtetë (dhe jo për përfitime nga emigracioni), por gjatë martesës fëmija ose bashkëshorti/bashkëshortja i/e huaj u abuzua ose u trajtua psikologjikisht në mënyrë mizore;
  • Një deportim i mundshëm i nënshtetasit të huaj do t’i shkaktonte këtij të fundit “vështirësi ekstreme”.

Rezidenti me kusht mund të paraqesë më shumë se një arsye për të motivuar kërkesën për leje (waiver) për të paraqitur më vete formularin I-751, nëse ai ose ajo përmbush kriteret përkatëse të secilit prej waiver-ave. Nëse rezidenti me kusht kualifikohet më vonë për një waiver që nuk ishte përfshirë në peticionin që paraqiti në fillim, si rregull, ai ose ajo duhet të paraqesë një formular të ri I-751 dhe të paguajë një tarifë të re aplikimi. Një rezident me kusht mund të paraqesë kërkesë për të paraqitur më vete formularin I-751 edhe nëse USCIS-i ia ka hequr tashmë statusin e tij ose të saj.

Kërkesa për waiver pas divorcit apo anulimit të martesës

Një bashkëshort/e ose fëmijë me green card me kusht mund të paraqesë këtë lloj waiver-i vetëm në rastet kur martesa ka përfunduar në divorc ose është anuluar me vendim gjyqësor. Zakonisht, USCIS-i do t’ju kërkojë një kopje të certifikuar të vendimit gjyqësor që zgjidhi martesën. Kur paraqitet ky lloj waiver-i duhet të tregohet se martesa në fjalë, ndonëse përfundoi me divorc, nisi si martesë e vërtetë.

Kërkesa për waiver në rastet kur bashkëshorti që ka marrë green card me kusht është rrahur ose ka qenë viktimë e dhunës psikologjike.

Edhe në këtë rast peticioneri duhet të tregojë që martesa me bashkëshortin/en amerikan/e ishte e vërtetë. Personat që kanë green card me kusht dhe që paraqesin një “waiver” për arsye keqtrajtimi fizik apo mendor, nuk kërkohet që t’i kenë dhënë fund martesës, por duhet të tregojnë që në një moment gjatë martesës ata vetë ose fëmija i tyre janë keqtrajtuar ose kanë rënë pre e dhunës psikologjike. Rezidenti me kusht mund të paraqesë waiver me bazë abuzimin fizik ose mendor, për vete ose për fëmijën pavarësisht nga nënshtetësia apo statusi ligjor i fëmijës. 

Kërkesa për waiver për arsye “vështirësish ekstreme”

Kërkesa e vetme ligjore për waiver bazuar në “vështirësi ekstreme” është të tregojë se dëbimi i personit që ka green card me kusht mund të çojë në vështirësi ekstreme. Rezidenti me kusht  mund të paraqesë si bazë për këtë lloj waiver-i “vështirësitë ekstreme” jo vetëm për personat më të afërt të familjes, por edhe për cilindo individ ose subjekt tjetër. Megjithatë, ligji lejon marrjen në konsideratë vetëm të atyre vështirësive që kanë lindur “gjatë periudhës kur të huajit i është dhënë statusi i rezidentit të përhershëm me kusht.” Ky lloj waiver-i është i vetmi që nuk kërkon të paraqiten prova se martesa ka qenë e vërtetë dhe jo për arsye të tjera.

Dy waiver-at e parë kërkojnë që peticioneri të tregojë që martesa ka qenë e vërtetë në kohën kur bashkëshortët u martuan. Peticioneri duhet të tregojë që martesa ka qenë e mirëfilltë dhe jo për qëllime përfitimi nga emigracioni. Peticioni (formulari I-751) duhet të përmbajë dokumente që dëshmojnë se bashkëshortët kanë jetuar së bashku si burrë dhe grua. Këtu përfshihen dokumenta që tregojnë se keni prona të përbashkëta ose qira apartamenti apo shtëpie në emër të të dyve; dokumenta financiarë që tregojnë llogari të përbashkëta bankare ose karta krediti të përbashkëta; polica sigurimi që emërojnë tjetrin si person përfitues; dokumente taksash, fotografi të çiftit pas martesës, deklarata nën betim të lëshuara nga njerëz që e dinë se martesa ka qenë e vërtetë.

Nuk është e lehtë të paraqesësh kërkesë për waiver pasi mund të dalin vështirësi të ndryshme që mund të mos jenë të dukshme që në fillim. I këshillojmë lexuesit apo lexueses tonë që të konsultohet me një avokat emigracioni që ka përvojë në paraqitjen e kërkesave për waiver.        

Gjithashtu, lexuesi ose lexuesja jonë është mirë që të fillojë të mbledhë dokumenta provë për t’i paraqitur së bashku me formularin I-751. Dokumentat provë që përmendëm më lart janë vetëm një shembull i asaj çfarë kërkohet. Çdo lloj dokumenti që mund të dëshmojë që martesa ka qenë e vërtetë mund të paraqitet. Nëse peticionet përgatiten me kujdes dhe siç duhet që në fillim, gjasat që të kenë sukses janë shumë më të mëdha. 

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]