Atmosferë skënderbegiane në Philadelphia – Një pjesë e rrugës Willits Road e merr emrin e nderit: Gjergj Kastrioti Skenderbeu
Nga dr Sadik Elshani
fotot: Eva Dori, gazetare
Sot, ishte një festë e madhe në Philadelphia, një pjesë e rrugës ku ndodhet godina e shoqatës u emërua me emrin e nderit: Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Është ky kryqëzimi i dy rrugëve të gjëra e me mjaft trafik: Willits Road dhe Academy Road. Kur flitet për Skënderbeun, Heroin tonë Kombëtar, gjithmonë na vjen ndërmend bashkimi kombëtar, përpjekjet shekullore të popullit tonë për liri e pavarësi. Kështu ndodhi edhe sot në Philadelphia, sheshi përpara godinës së shoqatës dhe hapësirat përreth ishin mbushur plot me bashkatdhetarë të ardhur nga Philadelphia dhe rrethina e saj dhe nga Nju Xhersi e shtete të tjera të Amerikës. Mbretëronte një atmosferë ngazëllyese, jehonte kënga dhe vallja shqiptare. Ka kohë që kishim menduar e biseduar që një rrugë në Philadelphia të emërohej me emrin e kryetrimit tonë dhe ja, me restaurimin e godinës së re të shoqatës sikur u gjend edhe kjo pjesë e rrugës që denjësisht do ta mbante emrin, “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”. Me angazhimin e Kryesisë së shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe posaçërisht sekretares së saj, zonjës Julida Cepele dhe zotit Michael Driscol, këshilltar i Këshillit Bashkiak të Philadelphias, kjo ëndërr e kahershme u bë realitet: Këshilli Bashkiak njëzërit e miraton kërkesën tonë.
Emërimi i një rruge me emrin e Skënderbeut në qytetin e Philadelphia-s, vendlindjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një nder i madh për të gjithë shqiptarët, sidomos për bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphia-s. Por, është edhe një nder i madh për Philadelphia-n që një rrugë e saj e mbanë emrin e një personaliteti të përmasava botërore, Kryezotit tonë, jeta dhe bëmat e të cilit u bënë burim frymëzimi për të gjithë popujt liridashës. Vizioni i Skënderbeut për liri e pavarësi u realizua në Philadelphia më 4 korrik të vitit 1776 e më vonë, më 28 nëntor të vitit 1912 edhe në vendin e tij, Shqipërinë tonë. Emërimi i kësaj rruge në ditën e sotme është një dhuratë e bukur për të gjthë ne që së shpejti do ta festojmë 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Përveç bashkatdhetarëve të shumtë në këtë ceremoni madhështore merrnin pjesë edhe: z. Michael Driscol, këshilltar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Philadelphias, z.Patric Gallagher përfaqësuese i Dhomës së Përfaqësuesve të Shtetit të Pennsylvanias, z. Tom Forkin, kryeshef i zyrës së zotit Driscol, zonja Marjorie Caputo punonjëse e zyrës së z. Driscol, si dhe zonjusha Dzana Badnjeviq, Koordinatore e Eventeve në Zyrën e Përfaqësuesit të Qytetit.
Fjalën e rastit e mbajti kryetari i shoqatës, z. Dritan Matraku, i cili pasi i përshëndeti të pranishmit dhe të gjithë mysafirët, ndër të tjera thekësoi se, “sot është një ditë e madhe për të gjithë shqiptarinë. Një muaj më parë e përuruam godinën e re, ndërsa sot nderojmë një nga figurat më të mëdha të kombit tonë , Ballkanit dhe Evropës, që u bë simbol i përpjekjeve të popullit tonë për liri e pavarësi”. Ai pastaj falenderoi të gjithë ata që e bëbnë të mundur këtë ditë të madhe, sidomos këshilltarin Driscol, i cili punoi me përkushtim për përmbushjen e këtij projekti madhor.
Pastaj fjalën e mori gazetari, publicist e studiusi Virgjil Kule, autor i veprës serioze studimore, “Gjergj Kastrioti Skendertbeu – kryqtari i fundit”. Ai gjithashtu me plot argumente nguli këmbë se Skenderbeu është Heroi ynë Kobëtar dhe jo i ndonjë përkatësei fetare, siç mundohen ta paraqesin atë disa dashakeqës të popullit tonë. Luftërat dhe Epoka e ndritur e Skenderbeut ishin edhe themeli mbi të cilat u shpallë edhe pavarësia e Shqipërisë, duke u treguar fqinjëve tanë shovinistë se Shqipëria nuk ishte pjesë e Perandorisë Otomane, sepse shqiptarët gjate shekujve, sidomos në atë periudhë 25 vjecare të udhëhequr nga Skënderbeu, kishin luftuar kundër turqëve për liri e pavarësi. Bashkëshortja e z. Kule, zonja Mimoza Feraj e vlerësoi Skënderbeun si një diplomat të shkëlqyer. Ajo, nga përvoja e saj porosit diasporën që të jetë vetëm kombëtare e jo partiake, politike.
Zonja Julida Cepele për të pranishmit dhe sidomos për miqtë tanë amerikanë bëri një paraqitje të shkurtër për jetën dhe veprën e Skënderbeut, jehonën e tij në tërë botën liridashëse. Janë ngritur monumente e janë emëruar rrugë me emrin e Skënderbeut në të gjitha treëvat shqiptare dhe anekënd botës. “Identiteti kombëtar i shqiptarëve është trashëgimia e Skënderbeut”, thekësoi zonja Cepele.
Këshilltari Michel Driscol në fjalën e tij u shpreh: “Sot është një ditë e nrekullueshme për të gjithë ne. Kemi një simbol nga vendlindja juaj. këtë godinë” (godina e re e shoqatës). Pastaj ai tregoi se politikanët shumë rrallë pajtohen me n jëri – tjetrin, por kur ishte puna për emërimin e këtij segmenti të kësaj rruge me emrin e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, të gjithë njëzërit e miratuan këtë propozim. Ai theksoi se emri i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj (anglisht Xhorxh) është i njejtë me emrin e themeluesit të shtetit amerikan, Xhorxh (Uoshington). Ai nuk e la pa përmendur se, siç po flitet, edhe nëna e Xhorxh Uoshingtonit është shqiptare. Ai u kujtoi të pranishmëve se si trashëgimtar i emigrantëve të hershëm irlandezë është me rëndësi që ta ruajmë trashëgiminë tonë. “Sa herë që do të kalojë nëpër këtë rrugë, do ta kujtoj Skënderbeun”, e përfundoi fjalën e tij z. Driscol. Shoqata e nderoi zotin Driscol me Certifikatë Mirënjohjeje për angazhimin e tij për emërimin e rrugës me emrin e Skënderbeut si dhe për përkrahjen e tij të vazhdueshme të komunitetit tonë.
Zoti Gallagher e falenderoi z. Driscol për këtë angazhim të rëndësishëm dhe u shpreh se veprimtaria e sotme ia kujton atij fëmijërinë the trashëgiminë irlandeze. Përshëndetën edhe zonja Caputo dhe zoti Ferkin, të cilët shprehën kënaqësinë e tyre që ishin pjesë e kësaj veprimtarie madhështore.
Asnjë veprimtari për Skënderbeun në komunitetin tonë nuk mund të paramendohet pa praninë e aktorit tonë të madh, Xhevat Limani, i cili më mirë se çdo aktor tjetër e mishëron figurën e Skënderbeut, me pamjen, fizikun dhe zërin e tij kumbues. Edhe sot me interpretimin e tij të zjarrtë e me plot mjeshtëri artistike të fjalimit të Skënderbeut përpara shqiptarëve të tubuar në Krujë e entuziazmnoi, elektrizoi publikun – solli të gjallë Skënderbeun në mesin tonë. Jehonin me plot kumbim fjalët: “Kapedanë e ushtarë trima, stërnipër të tjeshtë të një race të vjetër e bujare”… Ky interpretim i tij i shkëlqyer u prit me shumë dashuri e duartrokitje të pandërprera. Shoqata “Bijtë e shqipes” e nderoi Xhevat Limanin më Certifikatë, Anëtar Nderi për ndihmesën e tij në ruajtjen dhe përhapjen e vlerave tona kombëtare.
Zoti Vlashi Fili, njëri nga themeluesjit e shoqatës dhe skretiri i saj për 20 vite u shpreh se, “jemi të gëzuar, krenaria jonë ndodhet në nivelin më të lartë, pranë shtëpisë me emrin domethënës, “BIjtë e shqipes”, ndodhet rruga me emrin e Skënderbeut. Tani këtu kemi një copë Shqipëri”. Poetja, Ariana Gaba, zotërinjtë Haki Çollaku e Bujar Çela kishin thurur ca vargje për këtë ditë madhështore. Ndërsa voglushja, Sara Çela, këndoi një këngë për gjuhën shqipe dhe krenarinë e të qenit shqiptar.
Tani erdhi edhe çasti i shumëpritur i zbulimit të tabelës me emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Skënderbeu (Xhevat Limani) hipur në kal u nis drejt shtyllës ku ishte vënë tabela të cilën e zbuluan z. Driscol dhe z. iliaz Shehu, anëtar i Këshillit Drejtues. Ishte ky një çast mjaft emocionues për të gjithë të pranishmit. Festa pastaj vazhdoi me programin muzikor për të cilin ishin angazhuar këngëtarët Kristina Marku e Mikel Bego, DJ Primo Pando. Festën e zbukuruan edhe nxënësit e shkollës shqipe, të veshur me veshje kombëtare e bluza kuqezi. Tërë këtë veprimtari e moderoi për mrekulli zonjusha Angjelina Sali, ish-nxënëse e shkollës sonë, tani studente në Universitetin e Pennsylvanias. Për të gjithë të pranishmit u shtrua një drekë me ushqime e pije të llojllojshme, si në dasmën e Skënderbeut.
Kjo ditë do të mbetet në kujtesën e komunitetit tonë si një ditë e bekuar, dite e shenjtë. Shqiptarët me veprat dhe punën e tyre janë duke lënë gjurmë në jetën dhe historinë e qytetit të Philadelphias. Ata tani gëzojnë një emër të mirë nga bashkëqytetarët e tyre. Tani të bëjmë përpjekje për ta ngritur edhe bustin, shtatoren apo përmendoren e Skënderbeut. Ta kemi gjithmonë pranë nesh Skënderbeun e brënda nesh frymën skënderbegiane. T’i drejtojmë sytë dhe mendjet tona kah Periudha e ndritur e Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit. Dita e 28 Nëntorit po afron, eshtë kjo Ditë e shenjtë që gjithmonë na sjell një porosi të madhe: atë të bashkimit kombëtar.
Skënderbeu është njëri nga shtyllat e forta të identitetit kombëtar, është mbijetesa e kombit tonë ndër shekuj, është Ylli ynë Polar që na tregoi rrugën për liri e pavarësi.
Ta gëzojmë Rrugën e Skënderbeut!
Philadelphia, më 17 nëntor 2024.