Nishani: Shqipëria mbështet Kosovën në kufijtë e saj të pandryshueshëm Presidenti u zotua për bashkëpunim të plotë me të gjithë faktorët dhe aktorët për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme më 23 qershor
Presidenti Bujar Nishani deklaroi se Shqipëria mbështet tërësinë territoriale dhe me kufijtë e pacenuar të shtetit të Kosovës. Ai garantoi se Shqipëria dhe shqiptarët do të mbeten faktor paqeje e qëndrueshmërie.
Sipas presidentit, marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë strategjike dhe synojnë të shndërrohen në model rajonal, përputhtas me dëshirën e integrimit euroatlantik. Zoti Nishani tha se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi.
Presidenti foli në pritjen e festave të fundvitit me Trupin Diplomatik në Shqipëri: “Shqiptarët krenohen me dy shtete të pavarura në Ballkan, dy shtete të lira, sovrane dhe demokratike. Shqipëria mbështet tërësinë territoriale të Kosovës, në kufijtë e saj aktualë të njohur ndërkombëtarisht. Kosova e pavarur prodhon vetëm paqe dhe qëndrueshmëri, ndërsa faktori shqiptar në rajonin e Ballkanit është certifikuar si një kontribues real i paqes dhe qëndrueshmërisë. Përshëndesim dhe vlerësojmë nisjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë për çështje teknike dhe praktike si dy shtete të pavarura dhe sovrane”.
Zoti Nishani theksoi se forcimi i shtetit të Kosovës është në axhendën e Shqipërisë, sikurse lobimi dhe puna me aleatët për njohje të reja: “Shqipëria e ka mbështetur e mbështet afirmimin ndërkombëtar të Kosovës duke lobuar për njohjen e mëtejshme dhe duke e bërë të pranishme në axhendën diplomatike dypalëshe dhe shumëpalëshe. Mirënjohjen e thellë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe NATO-s, si dhe shteteve të tjera për mbështetjen e plotë e të pakursyer që i kanë dhënë Republikës së Kosovës dhe njohjes e konsolidimit të saj si shtet i pavarur”.
Në 2013-ën, sipas presidentit, klasa politike në Shqipëri përballet me kryerjen e reformave integruese dhe zgjedhjet e lira: “Kërkoj dhe do të mirëpres angazhimin e plotë të të gjithë aktorëve e faktorëve politikë për të arritur rezultate konkrete bashkëpunimi që nga përmbushja e kërkesave të Komisionit Europian për votimin e tri akteve ligjore në parlament dhe realizimin sipas standardeve europiane të zgjedhjeve të lira, të ndershme, të pakontenstueshme të 23 qershorit”.
Presidenti shtoi se fqinjët nuk zgjidhen, por fqinjësia e mirë është e mundshme nëse besohet te vlerat europiane dhe të demokracisë: “Shqipëria gjithnjë ka nxitur dhe ushqyer fqinjësinë e mirë, ndërsa faktori shqiptar në rajonin e Ballkanit është çertifikuar tashmë si një kontribues real i paqes dhe qëndrueshmërisë. Sot në Ballkanin Perëndimor, pas periudhave të vështira të diktaturës, shovinizmit, të luftës dhe spastrimit etnik, ne jemi duke bashkëjetuar nën frymën e fqinjësisë së mirë. Në qiejt tanë të kthjellët tashmë nuk ka vend për skifterë dhe korba lufte. Është fakt që e ardhmja e përbashkët e rajonit në Bashkimin Evropian parashtron sfida të vërteta, të cilat ne mund t’i përballim dhe t’i zgjidhim vetëm së bashku duke promovuar politika të bazuara në besimin se paqja, demokracia dhe zhvillimi janë ngushtësisht të ndërlidhura mes tyre”.
Presidenti shtoi se Shqipëria po provon se është anëtare e denjë e NATO-s me angazhim për paqen, lirinë, demokracinë anekënd botës. Zoti Nishani kujtoi se në bisedën për Vitin e Ri me paqeruajtësit shqiptarë në Kabul, Kandahar dhe Herat, isbhte “mbushur me krenari e shpresë” siç tha, “për të ardhmen e ndritur të vendit tim”, si vlerësim “i lartë dhe besimi i palëkundur i oficerëve dhe komandantëve të ndryshëm aleatë që shërbejnë në Afganistan krah për krah me djemtë tanë”. Për presidentin Nishani, Shqipëria është partnere dhe aleate e denjë të NATO-s, kurse “nesër anëtarë me merita të plota dhe kontribues realë të familjes së madhe evropiane”.
Duke iu përmbajtur synimin për anëtarësi në familjen europiane, presidenti theksoi se Shqipëria e quan integrimin në Bashkimin Evropian, si “proces të bazuar tërësisht në rezultate dhe merita, i cili nëpërmjet realizimit të plotë të reformave është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë”.
Presidenti u ndal gjithashtu te kremtimi i përvjetorit të 100-të të pavarësisë së Shqipërisë. Në morinë e zhvillimeve historike, të dhimbshme e plot vuajtje, shqiptarët kudo që jejtojnë sot janë krejt tjetër nga e shkuara e tyre. Duke e quajtur “element të veçantë” takimin vjetor me Trupin Diplomatik, presidenti theksoi se ai “mbart një simbolikë të veçantë”. Përveç kremtes për Vitin e Ri, zoti Nisha ni u tha diplomatëve se takimi ishte gjithashtu “për të festuar fillimin e një shekulli të dytë për Shqipërinë e pavarur dhe shqiptarët kryelartë kudo ku janë”: “Ne, shqiptarët sapo kemi lënë pas një shekull histori të mbushur me ngjarje dhe zhvillime, me arritje, e ndonjëherë edhe dështime, të cilat kanë shënjuar përjetësisht jetën dhe historinë e kombit tonë. Kemi përjetuar gëzime e hidhërime, shpresa e zhgënjime, ringritje e reflektime. Shekulli i parë i historisë së shtetit të pavarur shqiptar u përmbyll, por të gjitha ato çfarë na kanë ndodhur përgjatë këtyre njëqind viteve, do të mbeten përgjithnjë të gdhenduara në kujtesën dhe ndërgjegjen tonë kombëtare. Jo më larg se dy dekada e ca më parë shqiptarët jetonin të shtypur e të izoluar nën diktaturën më të egër e të pashpirt të Evropës Lindore. Ndërsa vuajtja e gjysmës tjetër të kombit në Kosovë nën thundrën e regjimit të Millosheviçit ishte e paimagjinueshme”.