Probleme me farturimin dhe pagesën e energjisë në pjesën veriore të Kosovës

Prishtinë, 4 tetor 2024 – Qytetarët serbë në komunat veriore të Kosovës e vlerësojnë “normale” pagesën e faturave të energjisë

Prishtinë, 4 tetor 2024 – Qytetarët e komunitetit serb në veri të Kosovës janë duke marrë ditëve të fundit paralajmërime për ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të borxheve të papaguara.

Paralajmërimet që i pa Radio Evropa e Lirë jepen nga kompania serbe “Elektrosever”, e krijuar në bazë të Marrëveshjes për Energjinë, e cila është arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Afati për shlyerjen e borxheve për rrymën e konsumuar është 15 ditë.

Zyra e Rregullatorit për Energji, e cila e monitoron punën e kompanisë “Elektrosever”, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se një numër i madh i qytetarëve të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike.

“Energjia elektrike llogaritet nga subjekti i autorizuar [“Elektrosever”], faturat shpërndahen, por niveli i pagesës së faturave nga qytetarët është ende i ulët”, thonë nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Megjithatë, në përgjigjen e tyre nuk specifikohet saktësisht se sa qytetarë nuk i paguajnë faturat në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Në bazë të raportit që kemi marrë së voni nga “Elektrosever”, në veri janë rreth 23 mijë konsumatorë. Sipas legjislacionit aktual dhe licencave të lëshuara, është përgjegjësi e “Elektroseverit” t’i marrë të gjitha masat për pagesën e energjisë elektrike”, thuhet në përgjigje.

Kompania “Elektrosever” mori licencën për të punuar në Kosovë në qershor të vitit 2023. Ndërsa, dërgimin e faturave të para te konsumatorët e nisi në fillim të këtij viti.

Ata nuk e paguan rrymën e shpenzuar që nga paslufta në Kosovë, më 1999.

Pse qytetarët nuk e paguajnë energjinë elektrike?

Predragu nga Mitrovica e Veriut nuk i paguan faturat e rrymës, sepse beson se njehsori i tij është i vjetër dhe se faturat për shpenzimet e tij janë joreale.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se faturat i merr rregullisht, por e ka paguar vetëm të parën, të cilën e ka marrë në shkurt të këtij viti. Të tjerat thotë se nuk do t’i paguajë, sepse i konsideron “jonormale”.

“Njehsori është i vjetër, i paraluftës… Askush nuk ka ardhur ta shikojë. Vijnë disa fatura jonormale, nga 90 deri në 200 apo 250 euro”, thotë Predragu.

Ai shton se pret që në periudhën e ardhshme ta ndërrojë njehsorin që do ta lexonte bilancin e ri, në bazë të të cilit do t’i paguante faturat.

Në fund të prillit, “Elektroseveri” nisi ndërrimin e njehsorëve të vjetër dhe vendosjen e të rinjve në objektet e reja që nuk kishin fare njehsor, por ky proces është ende në zhvillim e sipër.

Njehsor të vjetër të rrymës ka edhe Nenadi, por ai thotë se i paguan rregullisht faturat.

Ai tregon se gjatë periudhës së verës ka paguar mesatarisht 10 euro në muaj dhe se ai mban rregullisht evidencë për rrymën e shpenzuar.

“Unë paguaj [rregullisht] që të mos më grumbullohen faturat. Rryma duhet paguar. Një vendim i tillë është marrë dhe zyrtarët [e ‘Elektroseverit’] më kanë thënë se [faturat] duhet të paguhen”, thotë Nenadi.

Aleksandra nga Mitrovica e Veriut thotë se nuk ka dashur t’i paguajë faturat për rrymën e shpenzuar, kur ka filluar shpërndarja e tyre në fillim të vitit, por ndërkohë ka ndërruar mendje.

“E kam paguar faturën e parë… e cila ishte si një paradhënie. Më pas, kam bërë një pauzë të gjatë, por tani i kam shlyer të gjitha faturat”, thotë Aleksandra.

Sipas saj, njehsorët e energjisë elektrike në veri të Kosovës e llogaritin vetëm tarifën e shtrenjtë të rrymës dhe kjo është arsyeja përse disa amvisëri kanë fatura të larta.

Çfarë thonë në “Elektrosever”?

Deri në publikimin e këtij artikulli, kompania “Elektrosever” nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse qytetarët e komunave në veri të Kosovës i paguajnë rregullisht faturat, sa konsumatorë ka, çfarë masash do të merren ndaj atyre që nuk paguajnë dhe të ngjashme.

Por, më 23 shtator, kjo kompani e njoftoi opinionin se paralajmërimi për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike do t’u dërgohet të gjithë konsumatorëve, borxhi i prapambetur i të cilëve është mbi 100 euro.

Kompania, gjithashtu, u bëri thirrje qytetarëve që t’i mundësojnë qasjen në njehsorë, në mënyrë që të regjistrohet konsumi. Po ashtu, i ftoi sërish ata që të lidhin kontrata me “Elektroseverin” për furnizimin me energji elektrike.

Nga “Elektrosever” i kanë thënë më herët REL-it se ata që nuk kanë paguar faturën e parë preliminare dhe nuk kanë nënshkruar kontratë me ta, automatikisht bëhen konsumatorë të Kompanisë për Furnizim me Energji Elektrike të Kosovës (KESCO).

Por, në njoftimin e fundit thanë se “Elektrosever” ka të drejtë ligjore t’ua pezullojë furnizimin me energji elektrike konsumatorëve që nuk kanë kontratë me ta, si edhe atyre që nuk kanë mundësuar qasjen në njehsorët e tyre.

“Furnizimi i sigurt dhe i qëndrueshëm me energji elektrike arrihet me shlyerjen e rregullt të faturave”, thuhet në njoftim.

Në KESCO nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse kanë konsumatorë në komunat në veri të Kosovës.

Në qershor të vitit 2023, Kosova dhe Serbia nënshkruan një udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë, e cila ishte arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

Pas kësaj, në fillim të dhjetorit të vitit 2023, BE-ja njoftoi se kompania serbe, Elektrosever, ka nënshkruar një kontratë komerciale me Kompaninë Kosovare të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS).

(Radio Evropa e Lirë)