Bërdo (Slloveni), 17 maj 2021 – Presidentët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të Kroacisë dhe Sllovenisë, nuk arritën të merren vesh për një deklaratë të përbashkët rreth kufijve të vendeve të rajonit, për shkak të qëndrimeve tërësisht të ndryshme të Kosovës dhe Serbisë.
Kjo çështje ishte pjesë e diskutimeve në takimin e presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, i njohur si “Procesi Bërdo-Brioni”, një nismë e Sllovenisë dhe të Kroacisë, si shtete anëtare të Bashkimit Evropian, që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjen e dialogut politik midis rajonit të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë muajit të kaluar u ngritën shumë debate pasi në mediet kroate dhe boshnjake u publikua një dokument joformal (non paper), në të cilin hapet edhe çështja e kufijve në Ballkan. Sipas raportimeve të medies, njëri prej këtyre dokumenteve, i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, propozon ridefinimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon. Kryeministri Jansha e ka mohuar të jetë autor i një dokumenti të tillë.
Por, çështja e kufijve nuk u përfshi në deklaratën e përbashkët të takimit të sotëm, për shkak të kërkesës së Presidentit të Serbsië, Aleksandër Vuçiq, që në tekst të përfshihet formulimi “për mosndryshimin e kufijve të njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”.
Ky formulim është kundërshtuar ashpër nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se kjo do të nënkuptonte njohjen e Kosovës brenda kufijve të Serbisë.
“…Më lejoni ta them këtu me zë të lartë dhe të qartë: Republika e Kosovës, si një shtet sovran dhe i pavarur, është një projekt i përhershëm. Askush dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë realitet. Aventurat e rrezikshme mbi ndryshimet e kufijve duhet të refuzohen me vendosmëri nga të gjithë ne, nëse me të vërtetë dëshirojmë paqe dhe stabilitet në rajonin tonë”, ka thënë presidentja Osmani.
Mikpritësi i takimit, presidenti slloven Borut Pahor, tha se ka pasur diskutime me tone të larta dhe përplasje rreth kësaj cështjeje, ndërsa presidenti kroat, Zoran Milanoviq, tha se cështjet dypalëshe nuk zgjidhen në takime të tilla.
“Të themi agjenda e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ishte më ambicioze dhe, për shkak të kundërshtimit të Serbisë, disa pjesë u desh të lihen jashtë. Ky është një kompromis. Ne jemi këtu të ndihmojmë shtetet që janë në proceset integruese. Problemet dypalëshe nuk mund të zgjidhen në kuadër të procesit Bërdo Brioni”, tha ai.
Presidenti slloven, vendi i të cilit do ta kryesojë Bashkimin Evropian nga 1 korriku i kërij viti, ka ritheksuar kundërshtimin e tij ndaj çdo ideje për prekje të kufijve.
Takimi “Procesi i Bërdo-Brionit” është mbajtur me dyer të mbyllura.
Në një njoftim të zyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ajo citohet të ketë thënë se rajoni nuk mund të përparojë drejt integrimeve pa pranimin e së vërtetës.
“Krimet e kryera nga regjimi i (Slobodan) Millosheviqit t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë: krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Dhe, më e rëndësishmja është të kërkojmë nga fqinji ynë verior, Serbia, të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm”, citohet të ketë thënë presidentja Osmani.
Megjithatë presidentët miratuan një deklaratë që ka në thelb thirrjet për integrim të shpejtë të Ballkanit në Bashkimin Evropian.
“I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që t’i qaset Ballkanit Perëndimor si një tërësi”, tha presidenti Pahor.
“Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë procesin e zgjerimit, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtojnë reformat”, theksoi ai.
Brdo declaration, 2021 #BBP10 pic.twitter.com/sjtuEOl5F7
— Borut Pahor (@BorutPahor) May 17, 2021
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja, Mali i Zi dhe Serbia – aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Aktualisht Mali i Zi dhe Serbia janë në pritje të hapjes së kapitujve të rinj të negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të fillimit të negociatave. Por, çështja ka ngecur për shkak të kundërshtimit të Bullgarisë për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Kjo ka bërë që të pësojë edhe Shqipëria, e cila ka përparuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian së bashku me Maqedoninë e Veriut.
Kosova është e fundit në procesin e integrimeve evropiane. Ajo pritet të vazhdojë bisedimet me Serbinë në pjesën e dytë të muajit qershor. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, por të dyja palët janë të detyruara të kërkojnë një marrëveshje normalizimi si kusht për integrimet evropiane.
(Zëri i Amerikës)