Hagë, 15 shkurt 2023 – Në Hagë është mbajtur sot konferenca përgatitore e ZPS-së në rastin Thaçi dhe të tjerët.
Prokurorët kanë bërë të ditur se deri më tani janë më shumë se 312 dëshmitarë që do të japin dëshmitë kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Sipas Prokurorisë, në procesin e gjykimit do të përmenden mbi 40 vende ku pretendohet të jenë kryer krimet.
Prokuroria dhe pala mbrojtëse kanë thënë se pajtohen që procesi gjyqësor të nisë më 3 prill.
Avokati i ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Selimi, Geotrey Roberts, para Dhomave të Specializuara në Hagë ka thënë se në bisedat me Zyrën e Prokurorit të Specializuar janë marrë vesh që data e fillimit të gjykimit në çështjen penale Thaçi dhe të tjetër të jetë 3 prilli.
Në këtë datë, sipas Roberts, planifikohen deklaratat hyrëse e më pas të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve të parë.
Mbrojtja, gjithashtu ka kërkuar që procesi të mos zgjasë pafund dhe i ka kërkuar gjykatës që të shkurtojë kohën e paraqitjes së provave nga Prokuroria.
Sipas mbrojtjes, Prokuroria ka “mungesë të qartë fokusi” në mënyrën si është paraqitur rasti.
“Të gjithë vijmë të pika që në fund do të kemi një material shumë të gjerë, që askush nuk e di sa i rëndësishëm është. Avantazhi i Prokurorisë është që në këtë mënyrë e shtyn çështjen, duke futur sa më shumë materiale në proces”, ka thënë avokati mbrojtës i Veselit, Ben Emmerson.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
(Telegrafi)