Proçesimi i vizave emigruese nga Qendra Kombëtare e Vizave (NVC)

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi: Jam nënshtetas i SHBA-së. Peticioni për bashkim familjar që paraqita për prindërit u aprovua nga shërbimi i emigracionit. Çfarë duhet të bëj tani?

Faleminderit,

Benny

Pasi Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë të Shteteve të Bashkuara (USCIS) miraton një peticion dhe përpara se çështja të dërgohet në një pikë konsullore për gjykim, është NVC-ja që merret me mbikëqyrjen e proçesimit të aplikimeve për viza imigruese. Ndonëse ka patur përmirësime gjatë vitit të kaluar, koha për proçesimin e aplikimeve për vizë nga ana e NVC-së vazhdon të jetë e ngadaltë për shkak të kapicave të çështjeve të grumbulluara. Faqja e internetit e DOS-it përmban informacion mbi afatet kohore të proçesimit nga NVC-ja. Ky informacion përditësohet çdo javë.

Në këtë faqe interneti mund të gjeni afatet kohore për:

Krijimin e çështjes — Këtu përfshihet krijimi i një çështjeje për marrje vize në sistemin e Qendrës Elektronike të Aplikimit Konsullor (CEAC) dhe dërgimi i letrës së mirëseardhjes aplikantit dhe përfaqësuesit të tij/saj ligjor nëse i është paraqitur më parë USCIS-it një formular G-28 për përfituesin/aplikantin për vizë https://ceac.state.gov/IV/Login.aspx. Letra e Mirëseardhjes përmban Immigrant Visa Case Number (numrin e çështjes së paraqitur për vizë emigruese), Invoice ID (ID-në e faturës) dhe udhëzimet se si të krijohet një llogari në CEAC. Pasi aplikanti të paguajë tarifat e vizës emigruese, mund të duhen deri në dhjetë (10) ditë kalendarike përpara se pagesa të përditësohet në CEAC.

Shqyrtimi i çështjes — Proçesimi fillon vetëm pasi të jenë paguar të gjitha tarifat dhe të jenë “ngarkuar” të gjitha dokumentet e kërkuara në llogarinë e CEAC.

Me të marrë dosjen nga USCIS-i me një vizë aktualisht të disponueshme, të gjithë aplikantët për vizë emigruese duhet të përdorin CEAC-në për të paguar tarifat e aplikimit për vizëë emigruese si dhe për të “dorëzuar” formularin DS-260 Application for Immigrant Visa and Alien Registration form. Llogaria e aplikantit përmban udhëzime se si dhe ku të dorëzohen dokumentet. Faturat e tarifës së vizës emigruese lëshohen më vonë pasi të jetë krijuar çështja e aplikimit për vizë. Nëse kërkohet, aplikanti duhet të dorëzojë dhe një afidavit garancie financiare (Formulari I-864) si dhe Dokumentat e nevojshëm Financiarë.

Pasi tarifa të jetë paguar dhe përpunuar, aplikanti mund të futet dhe të plotësojë formularin DS-260 nëpërmjet CEAC-së. NVC-ja raporton se aplikantët kanë 20 minuta për të plotësuar çdo faqe. Megjithatë, ka raporte të vazhdueshme sipas të cilave del se periudha aktuale e skadimit është në fakt shumë më e vogël. NVC-ja rekomandon që të klikoni vazhdimisht butonin “Save” në fund të faqes për të evituar humbjen e të dhënave. Aplikimet e ruajtura mund të shikohen duke u rikthyer në CEAC dhe duke zgjedhur View/Edit (Shiko/Ndrysho) në seksionin IV and Alien Registration të faqes së paraqitur në ekran të Immigrant Visa Summary Information. Pasi të dorëzohet DS-260, duke klikuar butonin “Sign and Submit Application“, nuk është më e mundur të kryhen modifikime të mëtejshme. Kjo mund të “zhbllokohet” vetëm në ato raste kur vetë seksioni konsullor e zhbllokon në mënyrë që aplikanti të mund të bëjë ndryshime dhe të dorëzojë edhe njëherë aplikimin.

Për të përcaktuar disponueshmërinë dhe pranueshmërinë e dokumenteve, NVC-ja bazohet në udhëzuesit e dokumenteve të cilët janë specifikë për një vend të caktuar. NVC-ja duhet të dërgojë një email ku të shpjegojë arsyet për çdo refuzim të një dokumenti (d.m.th., arsyen pse nuk pranohet). Nëse një dokument është i padisponueshëm, por udhëzimet specifike të vendit dëshmojnë të kundërtën pra që në fakt dokumenti është i disponueshëm, ose nëse një dokument refuzohet pa ndonjë arsye të dukshme, përdorni formularin Public Inquiry Form të cilin e gjeni në internet, për të shpjeguar pse ju kërkohet ose nuk ju kërkohet të dorëzoni dokumentin e kërkuar, së bashku me informacionin mbështetës si dhe kërkoni sqarime nga NVC.

Sapo të vendosë që një çështje është e plotë nga ana e dokumentacionit, NVC-ja do të nxjerrë një njoftim automatik në llogarinë në CEAC të aplikantit ku ky i fundit do të informohet për këtë. Aplikantët gjithashtu mund të hyjnë në CEAC dhe të rishikojnë faqen përmbledhëse me informacione mbi statusin dhe vendndodhjen e çështjes. NVC më pas do të ndalojë ose do të planifikojë intervistën për vizë emigruese bazuar në disponueshmërinë që ofron pika konsullore përkatëse.

Pasi të jetë caktuar intervista për vizë emigruese, çështja ia kalon pikës konsullore. Gjithë komunikimi i mëtejshëm në lidhje me çështjen, duke përfshirë kërkesat për ndryshim të datës së intervistës ose transferim, duhet të bëhet me pikën konsullore dhe jo me NVC-në. Çdo dokument i përditësuar që duhet të paraqitet nuk ka më nevojë të ngarkohet në CEAC, por duhet të merret me vete në intervistë, përveç rasteve kur pika konsullore udhëzon ndryshe.

Aplikantët që aplikojnë nëpërmjet internetit mund të konfirmojnë nëse çështja e tyre është e plotë nga ana e dokumentacionit duke u futur në llogarinë e tyre në CEAC dhe duke parë faqen përmbledhëse. Ka shumë vende në këtë faqe për të parë vendndodhjen dhe statusin e çështjes suaj. Në krye të faqes djathtas është një vend ku thuhet, “Your case is currently at“. Këtu shënohet nëse rasti është ende tek NVC-ja, apo i ka kaluar ambasadës ose një konsullatës jashtë shtetit. Në fund të faqes përmbledhëse është një grafik që ka informacion mbi statusin e secilit aplikant për vizë dhe sponsorin financiar. Nëse gjithçka thotë “Paid” ose “Complete“, atëhere kjo do të thotë që NVC-ja ka përfunduar shqyrtimin e çështjes dhe ajo tashmë është në pritje të miratimit për një intervistë në ambasadë.

Aktualisht, NVC-ja pranon pyetje përmes formularit Public Inquiry Formhttps://travel.state.gov/content/travel/en/us-visas/visa-information-resources/ask-nvc.html

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: [email protected]

Comment

*