Prof. Beqir Krasniqi – Bajraktari, in memoriam…

Prof. Dr. Emin Kabashi

Instituti Albanologjik i Prishtinës/ Këshilltar shkencor

 

Bashkëbisedimi ka filluar që herët, për të mos thënë që në djep. Herë duke dëgjuar se çka flitej, herë tjetër duke parë me sytë e fëmijës ngjarjet që ndodhnin në familje, dhe së fundi duke u marrë me studimin e historisë. Do të thotë, një përvojë jetësore dhe studimore, që i ka mundësuar autorit të trajtojë gjithë ato ngjarje me peshë në historinë tonë kombëtare, qoftë vetëm në kuadër të Bajrakut të Vranocit, qoftë edhe vetëm në jetën e familjes së tij. Prandaj, nuk është gjë gand dhe e rastit se në shkrimet e profesorit të historisë, Beqir Krasniqit-Bajraktarit, shumësia e temave që janë trajtuar, edhe si dëgjime të rrëfimeve gojore, herë tjetër si shkrime të veprave historike, janë trajtuar tema të periudhave të ndryshme kohore, si dhe tema të që kanë rëndësi të ndryshme për rrjedhën e historisë së popullit shqiptar.

 

Tërësia e jetës së një populli është histori

Kjo është njëra anë e veprimtarisë me të cilën është marrë, Beqir Krasniqi-Bajraktari, ngase në dorëshkrimet e tij ka lënë një dorë vështrimesh edhe për çështje të studimeve etnografike, gjë që shpalojnë një anë tjetër të vlerës së shkrimeve të tij në përgjithësi. Po ashtu, autori ka lënë edhe një varg shkrimesh, që mund të konsiderohen të natyrës së folklorit, ose thënë më saktë, të kujtesës popullore, e cila me mençurinë karakteristike, ka vënë në lojë aq shumë dukuri të jetës shoqërore, aq shumë mangësi të jetës së njeriut, si dhe aq shumë vese e vlera njerëzore, sa me zhdërvjelltësinë e tyre tregimtare i kanë përballuar kohës dhe kanë ardhur deri në brezin tonë, pra edhe të autorit, si vlerë e përgjithshme shoqërore. Arti i tyre i ka përballuar pluhurit të kohës, qoftë përmes aktit të rrëfimit në popull, qoftë përmes mënyrë së ruajtjes se kësaj vlere, që shpalon aq mirë disa nga anët karakteristike të jetë së njeriut tonë nëpër kohë dhe periudha të ndryshme të jetës në shoqërinë tonë.

Autori, profesor i historisë, në jetën e tij, ka edukuar breza të tërë nxënësish edhe të nivelit të shkollës fillore, edhe të nivelit të shkollës së mesme. Ai nuk ka lënë shumë të dhëna për këtë pjesë të jetës dhe të veprimtarisë së tij, ose edhe nëse ka pasur shënime të tilla i ka djegur dhe i ka shndërruar në hi pushtuesi serb, andaj ishte ngritur Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër këtij pushtuese, që të çlirohej Kosova dhe të jetonte i lirë populli i saj. Ky pushtues, ashtu siç kishte rrënuar dhe shkatërruar muzeun e tij të vogël të shkollës në Baranin e Ulët, të cilin e kishte ngritur për vite të tëra, kishte shkatërruar edhe ato dëshmi shkrimore që kishte lënë autori, qoftë për veprimtarinë e tij edukative, qoftë për veprimtarinë e tij, në ato komisione të kuvendit komunal të Pejës.

 

Përditshmëria e jetës dhe shkrimi i historisë

Gjatë kohës sa ka qenë anëtar i këtyre komisioneve, ai ka ndihmuar shkollimin e të rinjve dhe të rejave të kësaj ane, qoftë duke ndikuar që të marrin bursë, qoftë duke ndikua që të regjistrohen në fakultetet dhe shkolla të larta, për të cilat kishte nevojë ajo anë e Kosovës, por qoftë edhe duke ndikuar për shkollimin e femrës shqiptare të kësaj ane. Sipas shënimeve që ka lënë profesori i historisë, Beqir Krasniqi-Bajraktari, por edhe sipas dëshmive që kanë dhënë bashkëpunëtorët e tij, kur flasin për ngritjen e atij muzeu të vogël të shkollës, thuhet se ajo vërtetë ishte një përpjekje e vogël e karakterit muzeor, por ishte e madhe si mundësi për mbledhjen e dëshmive të kohës, për të cilat njeriu ndonjëherë nuk kishte shumë informacion për vlerat e atyre gjetjeve.

Dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët e profesorit, kur flasin për shkatërrimin e atij muzeu të shkollës së Baranit të Ulët nga forcat pushtuese serbe, sjellin në kujtesë vlerën e atyre gjetjeve, rëndësinë për shpjegimin e proceseve historike të jetës së popullit para nxënësve dhe kalimtarëve të rastit, si dhe për lashtësinë e pranisë së popullit shqiptar në këto anë të Kosovës. Qoftë, edhe vetëm përpjekja për të ngritur një muze, ku do të ekspozoheshin gjetjet e periudhave të ndryshme kohore, që me gjuhën e arkeologjisë kanë folur për lashtësinë e jetës në këto anë, është e mjaftueshme për ta përmendur, për ta kujtuar dhe për ta admiruar profesorin e historisë, Beqir Krasniqin-Bajraktarin.

 

Një jetë duke folur për historinë

Duke u marrë tërë jetën me edukimin e nxënësve, duke shpjeguar historinë dhe gjeografinë para tyre, ai kishte mundësi të shihte edhe konkretisht ndryshimin në mes asaj historia, që ia kishin treguar në odën e familjes, nga ajo histori që shkruhej në tekstet shkollore të historisë dhe që duhej shpjeguar nxënësve, sipas plan programeve shkollore të periudhave të ndryshme të zhvillimit të arsimit në Kosovës. Prandaj, profesori Beqir Krasniqi-Bajraktari, më qartë se të tjerët, jo vetëm e kishte hetuar dhe e kishte ndjerë në kurriz peshën e robërisë, por e kishte prekur me dorë dhe e kishte shfletuar nëpër libra deformimin e ngjarjeve historike, për të mos thënë shtrembërimin e së vërtetës historike të jetës së popullit shqiptar. Mund të thuhet, se kjo vetëdije është e pranishme në të gjitha shkrimet e tij për ngjarje të ndryshme historike, siç është shumë e pranishme edhe e dhëna se rrëfimi i ngjarjeve historike, të shumtën e herëve ishte më i saktë në kujtesën e popullit, se sa në studimet e historisë, sidomos të atyre ngjarjeve ku flitej për qëndresën dhe luftërat e popullit shqiptar kundër pushtuesve të ndryshëm.

 

Përfundim

Kjo është vlera madhore e punës së tij, që është bërë përpjekje edhe të shpalohet nëpër kapitujt e kësaj monografie, gjë që shpresoj të jetë arritur një bashkëbisedim i mirëfilltë në mes realitetit historik që kishte karakterizuar një ngjarje të caktuar historike dhe peshës së shkrimeve që ka lënë autori i tyre, profesori i historisë, Beqir Krasniqi-Bajraktari. Nëse gjatë shkrimit të monografisë për punën krijuese të profesorit Beqir Krasniqi-Bajraktari, që përveç pak shkrimeve të botuara në revista dhe gazeta të kohës, pjesën më të madhe e ka lënë në dorëshkrim, është arritur të bashkëbisedohet natyrshëm, pa u shmangur nga thelbi i dorëshkrimeve të tij, atëherë autori i monografisë bën gjumë të qetë, ngase me ndërgjegje nuk ka shmangur asnjë vlerë të shkrimeve të tij për ngjarje të ndryshme historike.

Comment

*